Nëna e 12 vjecares në Viti thotë se vajza e saj nuk është dhunuar nga askush, ndërsa e ka mohuar se ka pasur inskenim politik. Ajo thotë se duhet të ndalen etiketimet nëpër media ndaj familjes së saj.
“Sqarim për opinionin e gjerë, të nderuar qytetarë të Vitisë, meqë tema e ditës dje ishte akuza e kundër akuza për inskenime të rastit të vajzës tonë të mitur e cila fatmirësisht tani është në gjendje më të mirë psikologjike, ju themi sinqerisht se asnjë lloj inskenimi nuk ka ekzistuar dhe asnjë politikë apo parti nuk ka gisht këtu, e themi me bindje të plotë. Janë shumë të ulëta pretendime të tilla, meqë vajza jonë si një adoleshente ka qenë shumë e turbullt me deklarata, ajo as nuk ka pësuar dhunim e asgjë tjetër pos që ka dashtë të marrë vëmendje si e re që është! Andaj ju lutemi si familje te ju ktheheni normalitetit, meqë ne e pamë të udhës të ndalim këtë kaos dhe etiketime që po bëhen!”, shkruan ajo në rrjetin social Facebook.
“Edhe ju lutem mos e lakoni në media më emrin tonë do të ndjeheshim keq!!”, përfundon ajo në shkrimin e saj.
Kujtojmë që zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Bislim Bislimaj ka drejtuar gishtin ndaj kryetarit të Vitisë, Sokol Halitit e Jakup Haxhiut për akuzat e bëra ndaj tij për dhunimin e një të miture.
Bislimaj kishte thënë se akuza ndaj tij është politike dhe e padinjitetshme.
Ndërsa, Prokuroria Themelore e Gjilanit ka thënë dje se zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bislim Bislimaj i është ndërprerë ndalimi 48 orësh.
Sipas Prokurorisë, ekzaminimi gjinekologjik i të miturës ka konstatuar se ajo s’ka qenë e keqtrajtuar seksualisht nga Bislimaj. Rrjedhimisht, Prokuroria thotë se nuk ka pasur më dyshim të arsyeshëm se zyrtari i LVV-së e ka kryer këtë vepër penale.
Ndërkohë, Jakup Haxhiu, shef i kabinetit të kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti, është akuzuar nga zyrtari i Vetëvendosjes në këtë komunë, Bislim Bislimaj se i ka montuar rastin e ngacmimit seksual të një të miture. Për këtë, në rrjetin social Facebook kanë qarkulluar edhe disa foto të një bisede në Viber që është pretenduar se është realizuar mes Haxhiut e Arben Jakupit.
Për këto foto, në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin është deklaruar Jakup Haxhiu.
Ai ka thënë se biseda e publikuar është montazh e realizuar nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij, një njeri normal nuk i dërgon askujt fotografi të tija personale.