Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, po thotë se partisë mund t’i bëjë hair largimi i Vjosa Osmanit.
Kryetari i Istogut thotë se kjo është zgjedhje e vetë Osmanit, por nëse do të shkojë, “udha e mbarë i qoftë”
Këto deklarata të Rugovës vijnë pasi Osmani gjatë ditës së sotme tha se me LDK’në ka përfunduar gjithçka, dhe la të hapur mundësinë e bashkëpunimin e kryetarin e VV’së, Albin Kurtin.
Rugova ka deklaruar për Express se Osmani ka rënë ndesh me vendimet e organeve të LDK’së, prandaj edhe është shkarkuar nga pozitat udhëheqëse që mbante në parti.
“Ajo është larguar nga postet udhëheqëse në parti, pasi ka ra ndesh me vendimet e organeve të LDK’së, qoftë me Këshillin apo Kryesinë e partisë. Bazuar në statutin e partisë, kjo është arsyeja e largimit të saj nga pozitat që ka pasur. Ne të gjithë i kemi mendimet tona, por kur merren vendime me shumicë votash duhet të respektohen, ajo nuk i ka respektuar”, ka deklaruar Rugova.
E për mundësinë bashkëpunimit të Osmanit me ndonjë parti tjetër, apo formimin e një partie të re, Rugova tha se nëse ky është vullneti i saj, “udha e mbarë i qoftë”.
“Unë besoj se i bën hair, nëse është vullneti i saj, udha e mbarë i qoftë. Ne mbrapa nuk e kthejmë”, ka deklaruar nënkryetari i LDK’së.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka deklaruar se është shumë vonë për partinë e Isa Mustafës të kërkojë më mbështetje nga ajo në rast të zgjedhjeve të parakohshme.
“Natyrisht që po, përgjigja konkrete e saj është vendimi i tyre i 20 qershorit për t’më përjashtuar. Aty ka përfunduar gjithçka”, tha ajo.