Kuvendi Komunal i Gjilanit ka mbajtur sot seancën e fundit të këtij viti, ndërkohë që nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka vlerësuar pozitivisht punën e këtij organi vendimmarrës, si organi më i lartë në Komunë, duke përgëzuar anëtarët e Kuvendit për angazhimin e tyre serioz, pozitë e opozitë, pa dallim, transmeton 2LONLINE.
Në emër të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, nënkryetari Ismajli ka falënderuar grupet politike në Kuvend për korrektësinë e treguar gjatë gjithë kohës sa është punuar bashkë përgjatë gjitha seancave të këtij viti.
Ndërkohë që, ai ka shprehur shqetësimin se për shkak problemeve me Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), pamundësitë për t’u certifikuar disa asambleistë, Kuvendi ka pas pengesë, në kuptimin e funksionimit në përbërje të plotë.
Ndonëse ka pas sfida përgjatë punës së Kuvendit, Ismajli tha se megjithatë është punuar lehtë për shkak të konstruktivitetit të treguar nga grupet politike të përfaqësuara në Kuvend, pozitë e opozitë.
Me urimet për festat e fundvitit, nënkryetari Ismajli ka thënë se beson që edhe në 2019 do të vazhdohet me punë të mirë të Kuvendin Komunal të Gjilanit.