Sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur i Mediave (KPM) dhe Agjencionin për Barazi Gjinore (ABGj) nënshkruan Deklaratën e Përbashkët me Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Kjo deklaratë e përbashkët – e iniciuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, në bashkëpunim me Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Agjencionin për Barazi Gjinore – është hartuar me qëllim të avancimit të barazisë gjinore në Kosovë me mediat si agjentë të ndryshimeve sociokulturore. Përmes kësaj deklarate, në pajtim me obligimet që dalin nga Kodi i Etikës për Mediat, si dhe parimet bazë të mosdiskriminimit dhe barazisë gjinore të mbrojtura e të promovuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, CEDAW, Konventën e Stambollit dhe ligjet tjera në fuqi, synohet angazhimi dhe koordinimi i akterëve për luftimin e dhunës ndaj grave, dhunës me bazë gjinore dhe stereotipeve gjinore.
Deklarata u nënshkrua nga znj.Luljeta Demolli, Drejtore ekzekutive në QKSGj, z.Luan Latifi, Kryeshef ekzekutiv në KPM, Edi Gusia, Kryeshefe ekzekutive në ABGj dhe Ngadhnjim Kastrati, Drejtor i përgjithshëm i RTK, në prezencë të znj. Vlora Nushi, Udhëheqëse e zyrës së UNWomen në Kosovë.
Kjo deklaratë u mbështet gjithashtu edhe nga U.D e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe Kryetarës së Kuvendit, znj. Vjosa Osmani e cila iu drejtua mediave me thirrjen për t’u bërë palë nënshkruese të deklaratës, me qëllim të avancimit barazisë gjinore në Kosovë.
Deklarata do të jetë e hapur për nënshkrim nga të gjitha mediat, të cilat në mënyrë vullnetare i marrin përsipër zotimet që dalin nga kjo deklaratë.
Deklaratën e nënshkruar mund ta gjeni në vegzën e bashkangjitur: http://kgscenter.net/sq/lajme-dhe-ngjarje/nenshkruhet-deklarata-e-perbashket-per-eliminimin-e-seksizmit-ne-media/
Komisioni I Pavarur Per Media
Agjencia për Barazi Gjinore/ Zyra e Kryeministrit
RTK
UN Women Kosovo