Nisma Socialdemorkate dhe Aleanca Kosova e Re para pak çastesh kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicion parazgjedhor. Të dy liderët e këtyre partive kanë thënë se ky koalicion do të jetë përcaktues për formimin e Qeverisë së ardhshme, shkruan Reporteri.net.
Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli e ka quajtur këtë koalicion si “qendrën e artë” e cila sipas tij do të ketë rolin kyç në formimin e qeverisë së ardhshme. Pacolli ka thënë se AKR dhe Nisma do të garojnë me një listë të përbashkët dhe do të kenë kandidatin e tyre të përbashkët për kryeministër, i cili do të jetë Fatmir Limaj.
AKR dhe Nisma mbrëmë kanë vendosur që të formojnë një koalicion të cilin kisha me e quajtë “qendra e artë”, “boshti i mesëm” ose po e quaj ajo pjesa e tretë politike e cila do të jetë kyçe, do të jetë e rëndësishme në formimin e qeverisë së ardhshme. AKR dhe Nisma do të garojnë me një listë të përbashkët që do të ketë kandidatin e vet për kryeministër. Besoj se edhe AKR dhe Nisma do të bëjnë një punë dinjitoze. Do të garojnë kryelartë sepse kemi punuar në mënyrë të ndershme dhe këtë mandat e kemi përfunduar në mënyrë dinjitoze, pa asnjë skandal”, ka thënë ndër të tjera Pacolli.
Edhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj është shprehur se koalcioni AKR-Nisma do ta përcaktojë fatin e qeverisë së ardhshme. Sipas tij ata janë të hapur edhe për partitë tjera që dëshirojnë t’u bashkohem.
“Besoj që ky koalicion është lajm i mirë për vendin. Kjo tregon urtësinë dhe racionalitetin e këtyre zgjedhjeve. Ky është një lajm i mirë edhe për simpatizantët e partive tona. Koalicioni ynë i ka duart e hapura edhe për partitë tjera që dëshirojnë të bashkohen. Ju siguroj se ne po ruajmë balanca politike në këtë vend. Po ofrojmë një alternativë ndryshe. Ne do të përqendrohemi në temat e rëndësishme që e presin vendin. Nisma dhe AKR do të jetë faktori kryesor në qeverinë e ardhshme”, është shprehur Limaj.