Pas marrëveshjes së nënshkruar në Uashington nga Kosova dhe Serbia më 4 shtator, gjatë ditës së sotme janë nënshkruar edhe Letrat e Interesit, për të ndihmuar financimin e ndërtimit të “Autostradës së Paqes”, e cila është njëra ndër pikat e marrëveshjes ekonomike të nënshkruar në Shtëpi të Bardhë.
Këto letra janë nënshkruar nga kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler dhe kryetari i Bankës së Eksport-Importit, Kimberly Reed, për financimin e projektit që parashihet të lidhë Nishin dhe Prishtinën.
Boehler tha se ky projekt do të jetë simbol i marrëdhënies së re mes Kosovës e Serbisë.
“Autostrada e Paqes do të drejtojë zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal duke lidhur Nishin dhe Prishtinën. Ai do të shërbejë gjithashtu si një simbol i fuqishëm i marrëdhënies së re, transformuese midis këtyre vendeve fqinje”, tha Boehler.
Ai po ashtu shtoi se “DFC, në partneritet me EXIM, është angazhuar për avancimin e këtij procesi paqësor duke investuar në projekte që krijojnë vende pune dhe sjellin përfitime të qëndrueshme ekonomike për të dy vendet”.
Ndërsa, kryetari i Bankës së Eksport-Importit, Kimberly Reed u shpreh se projekti në fjalë është hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Autostrada e Paqes është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës dhe unë përgëzoj punën e Presidentit Trump dhe të gjithë administratës mbi këtë marrëveshje historike,” tha në anën tjetër Reed.
Është bërë e ditur po ashtu se këto dy institucione në fund të këtij muaji planifikojnë të dërgojnë delegacione në Beograd dhe Prishtinë për të çuar përpara punën në Autostradën e Paqes dhe projekte të tjera.