Kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj, ka bërë të ditur se sot është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Kamenicë, një projekt me vlerë prej rreth 1 milion euro.
Ky investim realizohet falë bashkëpunimit të vazhdueshëm me z. Usame Morina dhe mbështetjes së donatorit “Dar Al Beer Society”, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës shëndetësore në komunë.
Sipas kryetarit Rahimaj, projekti ka për qëllim përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore primare për qytetarët e Komunës së Kamenicës, duke krijuar hapësira më funksionale dhe standarde më të larta për stafin mjekësor dhe pacientët.
“Shëndetësia mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisjes sonë. Me këtë projekt po hedhim një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të shërbimeve shëndetësore për qytetarët tanë,” ka theksuar kryetari Rahimaj, duke falënderuar donatorin dhe partnerët për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme.
Ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe mirëqenies së përgjithshme të komunitetit në Kamenicë.










