Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar kontratën për realizimin e projektit të detajuar për renovimin dhe rikonfigurimin e Stadiumit në Gjilan. Kontrata është lidhur me kompaninë BM Group SH.P.K. nga Veterniku, Prishtinë, e cila do të zbatojë punimet kryesore ndërtimore dhe arkitektonike në përputhje me Kategorinë IV të rregulloreve dhe udhëzimeve teknike të UEFA-s për infrastrukturën e stadiumeve.
Ky projekt është pjesë e një plani pesëvjeçar të investimeve për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në Republikën e Kosovës, i cili realizohet në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, komunat dhe me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare si FIFA dhe UEFA.
Punimet do të përfshijnë zbatimin e standardeve më të larta teknike, përmirësimin e kushteve për lojtarët, stafin dhe tifozët, si dhe krijimin e një ambienti modern dhe funksional për zhvillimin e ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ky investim është dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës për të mbështetur zhvillimin e sportit, identifikimin dhe përgatitjen e talenteve të rinj, si dhe promovimin e vendit përmes futbollit.