Në mbrëmjen e dytë të “Fest Film“, i cili po zhvillohet në kuadër të „Flakës së që Janarit 2025“ është shfaqur filmi „Nëntori i Ftohtë“, film me temë nga e kaluara e jonë e afërt e që është realizim me skenar të dy autorëve, Ismet Sijarina dhe Arian Krasniqi, regjinë e të cilit e ka bërë Ismet Sijarina e në të cilin rolet i bartin aktorët Kushtrim Hoxha, Adriana Matoshi, Fatmir Spahiu, Emir Hadzihafizbegoviq, Gordana Boban, May-Linda Kosumoviq dhe Lum Veseli.
Ky film kosovar, që ka fituar edhe disa çmime prestigjioze ndërkombëtare dhe ka marrë pjesë në festival të njohura botërore. për temë ka ngjarjet në Kosovë, në fillimvitet e nëntëdhjeta, në kohën kur ish-federata jugosllave po shpërbëhej dhe lufta ishte në prag, kohë kur Kosovës po i merrej autonomia dhe ndaj shqiptarëve po ndërmerreshin masa ndëshkuese, siç ishin shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, mbyllja me dhunë e Radiotelevizionit të Prishtinës, veprime të cilat popullata po i kundërshtonte me tubime e demonstrata paqësore.
Pjesë e këtyre ngjarjeve ishte edhe kryepersonazhi i këtij filmi, Fadili, që punonte arkivist, i cili në këtë situatë duhej të zgjidhte mes dy opsioneve, largimit nga puna, ashtu siç vepruan të gjithë kolegët e tij, apo mbetja në punë nën masa të dhunshme.
Fadili, baba i dy fëmijëve, që e kishte edhe të atin e paralizuar, duke u përballë me vështirësi të ndryshme, ndonëse pa dashjen e tij ishte i detyruar të mbetej në punë, i vetëdijshëm se çfarëdo veprimi që do të merrte nuk do të kalonte pa pasoja.
Veprimi i tij, irritoi ish-kolegët, andaj ai shihej si bashkëpunëtor i regjimit. Edhe në kushte të tilla, me plasjen e luftës, ai nisi të nxjerrë dokumente me rëndësi nga arkivi, por edhe durimi tij pati fund, andaj edhe ai pati fatin e bashkëkombëseve të tij.