Në spitalet e Kosovës shkalla e infeksioneve, pas hulumtimit të bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka dalë të jetë më e lartë se 7 për qind.
Mirëpo, mikrobiologu Lul Raka nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo përqindje nuk është reale, pasi që siç thotë ai, duhet të jetë më e lartë. Ai nënvizon se përqindja e prezantuar, ka dalë si pasojë e mosdërgimit të të gjitha mostrave për analiza përkatëse.
Analizat kanë nxjerrë në pah praninë e të ashtuquajturave, superbaktere, të cilat përfshijnë Qendrën Klinike Universitar dhe të gjitha spitalet rajonale. Ato quhen superbaktere për faktin se janë rezistente ndaj antibiotikëve.
Forma më e rëndë e infeksionit është sepsa. Njëri nga pacientët e infektuar me seps, në QKUK, vazhdon të përballet me probleme shëndetësore.
Vajza e këtij pacienti, Mirlinda, rrëfen për Radion Evropa e Lirë përvojën e babait të saj se si ka marrë infeksion pas operimit.
“Babin e kam në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Është operuar atje në Klinikën abdominale pas një problemi që e ka pasur. Operacioni ka shkuar mirë dhe e kanë lëshu në shtëpi, por pastaj i është keqësuar gjendja, dhe pasi e kemi dërguar në kontroll, mjekët kanë kuptuar se ka marrë infeksion, pasi CRP-ja (një analizë që tregon gjendjen e tij) ka qenë shumë e lartë. Prapë është shtrirë në spital dhe gjendja e tij ka qenë mjaft e rëndë. Ka fituar Seps dhe e gjitha është konstatuar se është fituar gjatë operacionit”, tregon Mirlinda.
Mikrobiologu Lul Raka sqaron se në vendet e industrializuara në gjithë botën, çdo i katërti pacient që futet në kujdes intensiv, merr infeksion apo rreth 25 për qind e pacientëve. Derisa në vendet e pazhvilluara, 66 për qind e pacientëve marrin infeksion posa të futen në kujdesin intensiv.
“Infeksionet spitalore janë sfidë gjithkund. Njësitë më të rrezikuara janë ato të kirurgjisë dhe njësit intensive. Në vendet e Bashkimit Evropian ka rezultuar që infeksionet brenda hospitalore të jenë rreth 7 për qind”.
“Një hulumtim i bërë në Kosovë ka dalë nën shkallën e pritur, pra 7.2 dhe ka pasur disa interpretime për këtë numër të vogël të pritur. Dhe, mendojmë se (është) mungesa e kapaciteteve diagnostike në të gjitha spitalet e Kosovës, pasi ky hulumtim është bërë në gjithë Kosovën”.
“Për sepsan si një infeksion më i shpeshtë në Evropë, tek ne numri ka dalë shumë i vogël, por mendoj se mostrat nuk dërgohen aq sa janë realisht, dhe ajo përqindje nuk mendoj se është reale”, thotë Raka.
Në anën tjetër, Sali Ahmeti, infektolog, thotë se te pacientët që kanë infeksione, sfidë mbetet sepsa, si njëra nga format më të rënda të infeksionit.
“Klinika infektive është klinika ku trajtohen infeksionet dhe ato posoperative janë problematikë e veçantë edhe për vendet e zhvilluara, e sidomos në vendet në zhvillim. Këto shkaktohen nga mikroorganizma që janë rezistent në shumicën e barnave të aplikuara në praktikë gjatë kurimit të pacientëve dhe japin infeksione të formave të rënda e që mund të kalojë edhe në seps, si dhe mund të çojnë në shok septik dhe mund ta rrezikojnë jetën e pacientëve”.
“Vitet e fundit gjithnjë e më shpesh ballafaqohemi me mosha të shtyra e që kanë imunitet më të ulët, e që janë më të atakuar nga infeksionet”, thekson Ahmeti.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka kapacitete për detektimin e gjeneve të rezistencës, e që brenda ditës mund ta përcaktojë a ka të bëjë me superbaktere dhe të ndërmerren masa