Ka filluar numërimi i ditëve kur mandatari i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti duhet të paraqesë para presidentit të vendit Hashim Thaçi se a e ka shumicën parlamentare për të votuar qeverinë e re që pritet të krijohet.
Edhe pse zyrtarisht ende nuk ka pajtim, dy partitë politike LVV dhe LDK po thonë se janë duke negociuar por që ende nuk ka asgjë konkrete.
Fundi i kësaj jave mund të sjellë ndonjë zhvillim që tregon se a do të ketë koalicion mes këtyre dy partive.
Por çka nëse dështon kjo marrëveshje politike, a mund të kemi zgjedhje apo mandatar të ri të udhëhequr nga partia e dytë, LDK-ja?
Mundësinë që të ketë një marrëveshje për koalicion mes LDK- AAK e NISMA dhe minoriteteve është përmendur të martën në RTV Dukagjini edhe nga anëtari i kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri.
Nuk e them se nuk vjen në rend të ditës kjo pikë, nëse Kurti nuk arrin ta bëjë qeverinë, nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në”, ka deklaruar Beqiri.
Dy partitë që ishin në pushtet me koalicionin PAN, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA Socialdemokrate kanë thënë se kjo çështje varet nga organet e partive të tyre.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka thënë se për çfarëdo oferte të mundshme, vendimet në AAK merren nga Këshilli drejtues i partisë, pasi të bëhet debati dhe aprovimi, diskutohen edhe në Kryesi të partisë, e që vendimet e marra nga këto organe për të gjithë anëtarët e AAK-së janë legjitime.
Time Kadrijaj-AAK:
“Secili vendim në AAK merret në Këshillin drejtues, pas debatit dhe aprovimit. Po ashtu diskutohet edhe me Kryesinë e partisë. Vendimet e marra në organet e partisë janë legjitime për ne”, tha Kadrijaj për Telegrafin.
Ndërsa, deputeti i Nismës, Haxhi Shala tha se nëse dështon Lëvizja Vetëvendosje në formimin e Qeverisë, atëherë është mundësia e hapur për partitë e tjera, që të formojnë institucionet qendrore të vendit.
Kurse, sa i përket mundësisë për një koalicion LDK, AAK – NISMA dhe minoritetet ai shtoi se në momentin që në partinë e tij do të vij një ftesë për koalicion ajo do të shqyrtohet në organet e partisë, e pastaj do të merret vendimi.
Haxhi Shala-Nisma Socialdemokrate:
“Ne deri më sot nuk kemi marrë asnjë ftesë nga asnjë subjekt politik për koalicion. Zotëri Kurti, i cili ka marrë dekretin e Presidentit si kandidat për kryeministër për të bërë Qeverinë, por nëse dështon Lëvizja Vetëvendosje që ta bëj Qeverinë, atëherë hapet mundësia për partitë e tjera. Në momentin që të marrim ftesë nga ndonjë subjekt politik për marrëveshje të koalicionit ne do ta shqyrtojmë ftesën, edhe në organet e partisë, pastaj janë organet e partisë ato që marrin vendimin”, tha Shala.
Mundësinë për koalicion apo dështimin e marrëveshjes e ka përmendur edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa. Pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, të martën pasdite ai tha para gazetarëve se pret që të takohet me Albin Kurtin deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta nënshkruajnë marrëveshjen, ose të heqin dorë dhe të dalin me përfundimin se nuk arritur të merren vesh.
Deri në përfundimin e afatit kohor për formimin e Qeverisë, pas dekretimit të Presidentit të mandatarit për kryeministër, kanë mbetur edhe 13 ditë, ndërsa më shumë se dy muaj pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Republika e Kosovës nuk ka Qeveri. /Telegrafi/