Në bazë të vullnetit të shteteve anëtare të BE-së, qytetarët e Kosovës më së voni deri më 1 janar 2024 nuk duhet të kenë më vizë kur udhëtojnë drejt Bashkimit Evropian.
Pas një vonese gjashtëvjeçare, Këshilli i BE-së vendosi të mërkurën që negociatat për regjimin pa viza mund të fillojnë. Që në vitin 2016, Komisioni i BE-së kishte propozuar heqjen e vizave për Kosovën.
Në bazë të mandatit të negociatave, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së dëshiron të nisë bisedimet me Parlamentin e BE-së.
Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, foli për një hap të rëndësishëm në zbatimin e premtimit për heqjen e vizave për Kosovën.
“Liberalizimi i vizave është bërë i mundur nga përpjekjet e Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migracionit dhe sigurinë dhe ne besojmë se ky bashkëpunim i mirë do të rritet më shumë në të ardhmen”, tha Lipavsky.
Mbajtësit e pasaportave kosovare do të mund të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë tre mujore. Një kusht për këtë ishte aderimi i Kosovës në Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili është planifikuar të hyjë në fuqi në nëntor 2023.
Eurodeputeti austriak i të Gjelbërve, Thomas Waitz, kritikoi institucionet e BE-së për vonesat drejt këtij vendimi.
“U desh shumë kohë që shtetet anëtare të binin dakord përfundimisht për negociatat”, kritikoi eurodeputeti Waitz.
Ai tha se kjo ka dëmtuar masivisht besueshmërinë e BE-së. “Lidhja e liberalizimit të vizave me pjesëmarrjen në ETIAS e shtyn në mënyrë të panevojshme procesin edhe një herë. Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova tashmë ka përmbushur shumicën e kushteve dhe shumë reforma si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve dhe migracionit, rendi dhe siguria publike dhe forcimi i të drejtave themelore janë zbatuar prej kohësh”, thotë Waitz, raporton APA, transmeton Klankosova.tv