Mjeku Art Deva, që nga marsi kur u shfaq virusi Covid-19, po punon si vullnetar në Institutin e Shëndetësisë Publike.
Ai ka përfunduar studimet në Mjekësinë e Përgjithshme, përderisa ka kohë që po e pret konkursin për specializim. Si Arti, janë edhe mbi 500 mjekë, të cilët po presin këtë konkurs, i cili nuk është hapur tash e 4 vjet nga Ministria e Shëndetësisë.
E sipas një analize të kryer nga një grup mjekësh kosovarë, nëse konkursi nuk hapet as këtë vit, mbi 70% e mjekëve do të largohen nga vendi.
“Prej këtyre pyetjeve kemi marrë diku 400 përgjigje, prej mjekëve të ri, edhe prej të dhënave që kemi rreth 72% e mjekëve të ri, janë të pajtmit se nëse këtë vit nuk hapen specializimet në vitin 2020, atëherë mundësia e parë që iu hapet për të dalë jashtë vendit do ta bëjnë”, shprehet Art Deva për RTK.
Si vullnetare në Klinikën Infektive ka shërbyer edhe Fjorda Berisha.
Mungesa e konkursit për specializim, sipas saj, ka bërë që pasojat në shëndetësi të vërehen edhe gjatë pandemisë COVID-19.
“Për shkollimin profesional bëhen 4 vite pa konkurs, pra nga viti 2016. Ka një numër të lartë të mjekëve të papunë, dhe gjendja pandemike ka vu në pah shumë mangësi, dhe nevojën për personel shëndetësor”, thotë ajo.
Analiza nxjerr në pah nevojën urgjente për punësimin e specializantëve, në të kundërtën problemet do të rriten.
Kështu thotë mjeku Dijon Musliu.
“Shumica e spitaleve rajonale, funksionojnë me kapacitet të limituar dhe nuk i kanë shumë prej reparteve klinikave, nuk i kanë të zhvilluara dhe pa mjekë. Kosova rrezikon të vie në situatë që të marrë mjekë nga vendet e Afrikës apo Lindjes së mesme”, thotë ai.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se mos-hapja e konkurseve për specializim është pasojë e kufizimeve buxhetore, por edhe ndryshimeve të shpeshta në kabinetet ministrore.
“Ministria e Shëndetësisë ka hartuar Strategjinë e resurseve humane në shëndetësi, që si dokument ishte në shqyrtim para-final para se të fillojë pandemia Covid-19. Qeveria e re ka paralajmëruar se përmes MSh-së do ta ketë prioritet adaptimin e këtij plani me nevojat dhe rrethanat e krijuara dhe të ndajë specializime për mjekët në pritje duke ju dhënë prioritet lëmive ku ka më shumë nevoja për fuqizim të kapaciteteve”, kanë bërë të ditur nga MSH.
Në këtë situatë, shumë prej këtyre mjekëve, paralelisht po mësojnë intensivisht gjuhën gjermane. Në rast se Kosova nuk bën gjë, të ardhmen e tyre ata planifikojnë ta ndërtojnë në Gjermani.