Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi ka paralajmëruar se me këtë trend të rritjes së të infektuarve, sistemi shëndetësor do vihet para sfidave të mëdha dhe serioze. Ai tha se aktualisht po ia dalin t’i menaxhojnë rastet klinike, por që në rast se tejkalohen kapacitetet spitalore, duhet të angazhohen mekanizmat për të siguruar shtretërit.
Krasniqi ka deklaruar se nga fillimi i marsit ka rritje jo vetëm të të infektuarve por edhe të atyre që kërkojnë trajtim spitalor.
“Nga 1 marsi ne kemi rritje të numrit të rasteve, jo vetëm të infektuarve por edhe të atyre që kërkojnë trajtim spitalor. Tani ne kemi 692 pacientë që janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive dhe në të gjitha spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së. Pra, nëse krahasojmë me numrin e pacientëve që i kemi para 10 ditëve të shtirë i kemi diku 150 deri 160 pacientë më shumë sesa para 10 ditësh dhe nëse vazhdon ky trend sistemi shëndetësor do të vihet para sfidave jashtëzakonisht të mëdha dhe jashtëzakonisht serioze”, tha Krasniqi.
Drejtori i SHSKUK-së ngrehë alarmin se nëse nuk respektohen masat që janë në fuqi, Kosova rrezikon të ketë numër edhe më të madh të të infektuarve me COVID-19.
Madje, Krasniqi ka ngritur shqetësimin edhe për mosizolimin e personave që po rezultojnë pozitiv me koronavirus.
“Nëse mund të themi rivendosim vëmendjen tonë ndaj pandemisë dhe respektojmë masat të cilat janë në fuqi, megjithatë ne mund t’ia dalim, në të kundërtën ne rrezikojmë të kemi numër shumë më të madh të të infektuarve, prandaj janë këto thirrjet tona të vazhdueshme që masat që janë në fuqi, sidomos mbajtja e maskës, dezinfektimi i duarve dhe distanca dhe mosgrumbullimi i njerëzve, duhet patjetër të respektohen. Ajo që kohëve të fundit kemi vërejtur është që qytetarët ose pacientët që rezultojnë pozitiv shpesh nuk po i respektojnë masat dhe po qarkullojnë, prandaj, unë iu bëjë një thirrje shumë të sinqertë të paktën të gjithë atyre që rezultojnë pozitiv, nuk duhet lejuar të dalin”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi edhe njëherë e ka ritheksuar nevojën për një spital që do trajtonte vetëm pacientët me COVID-19. Ai thotë se nëse tejkalohen kapacitetet e SHSKUK-së, duhet të angazhohen mekanizmat tjerë për të siguruar shtretër.
“Me kohë kemi kërkuar që të kemi kapacitete shtesë, pra të kemi spitale vetëm për COVID, prandaj nëse tejkalohen kapacitetet mundësitë tona si Shërbim Spitalor sigurisht që duhet të angazhuar edhe mekanizmat tjerë për të siguruar shtretër….20’56 Ne bëjmë plane për të pranuar të gjithë ata pacientë që potencialisht kanë nevojë për trajtim spitalor ju e dini që gjatë muajit nëntor, dhjetor kemi krijuar kapacitete deri në 1 mijë shtretër për të pranuar pacientët në total në nivel të të gjitha spitaleve dhe të QKUK janë 4 mijë shtretër por ne kemi edhe pacientë me sëmundje të tjera. Ne qysh kur arrijmë kapacitetet prej 1 mijë shtretërve diku ¼ apo mbi 25 për qind e gjithë shtretërve aktual shfrytëzohen për pacientët me COVID, dhe kjo është një ngarkesë e madhe për Shërbimin Spitalor”, u shpreh ai.
Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi thotë se me rritjen e rasteve po detyrohen të cenohen shërbimet tjera klinike.
“Ne po ia dalim që të menaxhojmë rastet klinike dhe ne jemi të përkushtuar që çdo pacientë që do ketë nevojë për trajtim spitalor duhet të krijojmë shtretër dhe duhet të krijojmë hapësirë për ta për të mbijetuar. Megjithatë duhet ta kuptojmë të gjithë se çdo rritje e numrit të rasteve që kërkojnë trajtim spitalor kushtimisht do ia zë shtratin ose vendin një pacienti tjetër me sëmundje të tjera. Pra, në një mënyrë apo tjetër ne po detyrohemi të cenojmë deri diku shërbimet tjera për tu ofruar shtretër për këta pacientë“, deklaroi ai.
Numri total i rasteve pozitive është 76.688 raste nga 351.523 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.696 raste të vdekjes. E përkundër këtyre shifrave Kosova ende nuk ka siguruar asnjë dozë të vaksinës anti-COVID për qytetarët e saj.