Organizatat joqeveritare dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë organizuar tubim për nesër nga ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Njoftimin e ka bërë deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.
“Shkatërrimi i infrastrukturës, pastrimi i fshatrave dhe qyteteve nga makineritë ushtarake, radhët e gjata të njerëzve duke kaluar kufijtë për të qenë më të sigurt, janë kujtimi i freskët i Luftës nëpër të cilën ka kaluar populli ynë. Andaj, në shenjë solidarizimi dhe përkrahje me popullin Ukrainas, përfaqësuesit legjitim të popullit Ukrainas e në mbështetje të luftës së tyre heroike për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, ju ftojmë që të mblidhemi në Sheshin Skënderbeu në qendër të Prishtinës, ditën e Hënë me datë 7 mars 2022, në mesditë, në ora 12:00h”, ka shkruar Abazi në një postim në Facebok.
Ai ka shkruar senë këtë tubim do të kërkohet ndalja e luftës dhe pushtimit të Ukrainës.
“Mbledhimi para Teatrit Kombëtar është tregues i përcaktimit dhe bashkimit të popullit të Kosovës me të gjithë popujt paqedashës, që po protestojnë nëpër sheshet e të gjitha qyteteve të shteteve demokratike për ta kundërshtuar luftën dhe agresionin Rus dhe që hapur e pa hezitim po kërkojnë ndaljen e luftës dhe pushtimit të Ukrainës. Ne si popull, gjatë agesionit Serb në Kosovë kemi gjetur përkrahjen nga shtetet dhe popujt demokratik në ditët me të vështira të historisë sonë të re, kësisoj solidarizohemi dhe bashkëndjejmë dhimbjen e madhe, që populli Ukrainas po kalon këto ditë. Ju ftojmë, që me vete të merrni shiritat me ngjyra të flamurit Ukrainas apo të visheni dhe të mbani në duar pankarta dhe flamujt të Ukrainës dhe shteteve demokratike”, shkroi Abazi.