Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, raportohet se i ka premtuar kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se Uashingtoni do t’ia largojë Izraelit ditëve në vijim të gjitha kufizimet ndaj dërgesave të armëve.
Në një raport pa burime të cituara, publikuar të hënën në gjuhën hebraike nga televizioni “Channel 12” dhe në gjuhën gjermane në gazetën “Bild”, thuhet se gjatë takimit të tyre javën e kaluar në Jerusalem, Netanyahu kërkoi që shpeshtësia e dërgesave të armëve amerikane të kthehet në nivelin që ishte pak pas sulmit të 7 tetorit, duke u ankuar se ShBA-ja praktikisht e ka ndërprerë përkrahjen e saj ushtarake për luftën kundër Hamasit, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Thuhet se Netanyahu ka argumentuar se ngadalësimi i ndihmave u shkon për shtati Iranit dhe prokurave të tij në rajon, përfshirë Hamasin e Hezbollahun, e zgjat luftën dhe e shton rrezikun për përhapjen e saj në fronte të reja.
Pas zotimit të Blinkenit, Netanyahu u tha ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, ministrit të Punëve Strategjike, Ron Dermer, dhe këshilltarit për Siguri Kombëtare, Tzachi Hanegbi, që të siguroheshin që dërgesat e armëve të rivendoseshin plotësisht gjatë takimeve të tyre të ardhshme me zyrtarë amerikanë në Uashington.
Muajin e kaluar, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, kishte kërcënuar se do të ngrinte disa dërgesa armësh, nëse Izraeli do ta niste ofensivën e planifikuar në Rafah të Gazës, Netanyahu ishte zotuar se nëse Izraeli “detyrohet që të qëndrojë vetëm, ne do të qëndrojmë vetëm”.
Në atë kohë, Shtëpia e Bardhë kishte shtyrë një dërgesë të bombave 900-kilogramëshe dhe 220-kilogramëshe për shkak të shqetësimit se ushtria izraelite do të mund t’i përdorte ato në qytetin me popullsi të dendur, Rafah, siç kishte vepruar në pjesë të tjera të Gazës.
Megjithatë, disa javë më vonë, në një raport paraqitur Kongresit, administrata e Bidenit kishte thënë se kishte gjetur garanci “të besueshme” izraelite se ky shtet do t’i përdorte armët amerikane në përputhje me të drejtën humanitare ndërkombëtare, duke e lejuar dërgimin e mëtejmë të armëve në Izrael.
Më vonë të hënën, gazeta “The Washington Post” raportoi se dy demokratë kyçë janë pajtuar për të mbështetur një shitje të madhe të armëve në Izrael, e cila përfshin 50 aeroplanë luftarakë të tipit F-15.
Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë kanë qenë furnizueset më të mëdha të Izraelit me armë, të pasuara nga Gjermania dhe Italia.
Disa shtete, si Italia, Kanadaja dhe Holanda, i kanë ndërprerë dërgesat e armëve në Izrael këtë vit për shkak të shqetësimit se ato mund të përdoren në mënyra që e shkelin të drejtën humanitare ndërkombëtare, duke shkaktuar viktima civile e shkatërrim të zonave të banimit në Gaza.
Izraeli thotë se nuk i vë në shënjestër civilët dhe se operacioni ushtarak është i përqendruar në eliminimin e Hamasit./Nacionale