Neuropsikiatri, Sami Rexhepi, ka thënë se pandemia, lufta në Ukrainë dhe ngritja e çmimeve kanë rënduar shëndetin mendor të popullatës.
Rexhepi që është edhe drejtor në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë, shtoi se qytetarët e vendit nga një traumë po kalojnë në një traumë tjetër, e se pjesa më e madhe e popullatës është në kufi të ekzistencës.
“Është plotësisht normale me prit një ndikim shumë të madh te qytetarët kjo rritje e çmimeve. Në një farë mënyre prej një traume, po shkojmë në traumën tjetër. Një traumë e cila zgjati dy vjet ku ka qenë e rrezikuar vetë ekzistenca jonë biologjike. Te një numër i madh i njerëzve ka qenë e rrezikuar edhe ekzistenca ekonomike për shkak të humbjeve të vendeve të punës”, tha ai.
Ai thotë se ankthin po e rrit edhe ngritja e çmimeve, ngase me shumë e njëjtë të parave qytetarë tani nuk mund të blejnë artikuj ushqimore bazike si më herët.
“Nëse me një shportë, prej 50 eurove tani atë shportë keni me mbush më pak se gjysma. Kjo posaçërisht që po ndikon në artikujt ushqimor, nuk po flasim për artikujt e luksit po për artikujt ushqimorë që janë nevojë bazike e popullatës. Kjo është një faktor shumë i madh, i cili po e rrit ankthin në masë të madhe dhe frikën për nesër, që normalisht i bënë që njerëzit të jenë më pak funksional se që kanë qenë”, tha ai për eo.