Ditëve të fundit, në skenën politike të Gjilanit, janë shtuar zërat për koalicione të mundshme. Qeverisja lokale në përbërje të re akoma nuk është krijuar, e LDK-ja, si parti fituese, po ashtu akoma zyrtarisht nuk ka bërë partnerë, nëmesin e subjekteve tjera, për të bashkëqeverisë.
E, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), grupimi i tretë politikë në Gjilan, për kah mandatet e fituara në Kuvendin Komunal, është njëra ndër subjektet politike të përfolura, dhe ndonëse si subjekt politik nuk ka akoma qëndrim zyrtar, për të qartësuar rolin e saj, në mesin e këtij subjekti ka zëra pro e kundër koalicionit të mundshëm me LDK-në.
Njëri nga ata që edhe më herët është shprehur se do të ishte pro një koalicioni të mundshëm LDK-PDK, është Gani Neziri, i cili ka bërë të ditur për 2LONLINE, se edhe në strukturat e partisë e ka shprehur mendimin e tij të lirë se duhet shqyrtuar mundësia e koalicionit, por vetëm në rastin e ndonjë oferte serioze.
“Nëse do të ketë ndonjë ofertë serioze , mendojë se duhet shqyrtuar me seriozitet, në të kundërtën, jo me çdo kusht që të jemi aty,veçse për t’u dukur një lloj dekori që do të plotësonte ngjyrën e munguar”, ka thënë Neziri.
Ai ka pranuar se së fundi janë shtuar përfoljet dhe qarkullimi i lajmeve lidhur me koalicionin e mundshëm LDK-PDK, madje, siç thotë ai, nuk ka restaurante, ku nuk flitet diçka rreth koalicionit të mundshëm qeverisës në Komunën e Gjilanit, ku tavolinat ‘’shurdhojnë’’ njëra-tjetrën duke u thirrur në ‘’fakte’’ informative ‘’nga dora e parë’’ kinse, janë në dijeni për koalicionin që do të bëhet për të udhëhequr në këtë mandat.
“Si anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan, jam prononcuar pro marrëveshjes së mundshme për të bashkëqeverisur Komunën e Gjilanit me fitimtarin e parë LDK-në. Mirëpo, kjo nuk duhet kuptuar se unë jam dakorduar që të jemi aty veçse për t’u dukur një lloj dekori që do të plotësonte ngjyrën e munguar. Zotësia për të bashkëqeverisur me partnerin e koncepteve të ndryshme për të njëjtin ideal, nënkupton kulturën qytetare politike për, sëpaku një shkallë më lart se tjetri që nuk gjen guximin për të bashkëqeverisur, duke mos ditur të gjej arsyen politike të bashkëqeverisjes”, shprehet për 2LONLINE, Gani Neziri i PDK-së.
Madje, ai nuk përton të merr një shembull ilustrues për këtë mendim që ka, me atë, siç thotë: “Kot mund të ndjehesh futbollist i mirë, por nëse nuk futesh në fushën e futbollit, duke zgjedhur qëndrimin në shkallët-ulëset e tifozerisë, është e sigurt se nuk do të mund të shënosh asnjë gol”.
Përndryshe, ai përsëritë edhe njëherë se deri më sot, nuk ka pas asnjë takim formal në mes të PDK-së me LDK-në, që do të kuptonim mundësinë ose pamundësinë për të bashkëqeverisur.