Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka njoftuar se ka shtyer të gjitha veprimet për shkak se nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë marrë premtime se do të lirohen masat për sektorët e mbyllura.
Përmes një njoftimi në Facebook, nga OHT-ja kanë thënë se qëllimi i takimit që kanë pasur me Vitinë ka qenë rishikimi i kërkesave të tyre ndaj masave anti-COVID.
“Përfaqësues nga OHT, me datë 18.5.2021 në ora 16:30 janë takuar me ministrin e Shëndetësisë z. Arben Vitia. Qëllimi i takimit ishte bisedë rreth rishikimit të kërkesave të OHT ndaj masave antiCovid, duke i përfshirë kërkesat e të gjitha sektoreve që i përfaqëson OHT (salla të dasmave, pishina, estradë, dekore, dhe të gjitha sektoret tjera), me ç’rast u kërkua që sa më parë të dilet me një vendim të ri, dhe lehtësim të masave për këto sektore!”, thuhet në njoftim.
Po ashtu nga kjo organizatë është bërë e ditur se Vitia ka kërkuar nga ata që t’i japin kohë deri më datën 26 të këtij muaji.
“Z. Vitia ka kërkuar t’i ipet kohë deri me 26.5.2021 në ora 16:30, sepse sipas tij ishte duke pritur disa rezultate të hulumtimeve që janë duke u bërë në terren, dhe kjo ishte arsyeja që akoma nuk po marin një vendim pë lirimin e masave ndaj sektoreve që akoma qëndrojnë mbyllur”, thuhet më tej në njoftimin e OHT-së./Zëri