Gjykata Themelore në Pejë, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve tri infermiereve të cilat dyshohen se kanë keqtrajtuar fizikisht një grua në Qendrën për të Moshuar në Pejë.
Kjo masë sipas prokurorisë është caktuar se të njëjtat mund të ndikojnë në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale.
“Të pandehurave iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, në vlerësim të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurave konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njejtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende”, thuhet në njoftim.