Pas 16 viteve jetë dhe pune në Belgjikë, Fadil Ajeti ka marrë një vendim të guximshëm: t’i rikthehet vendlindjes, fshatit Llovcë të komunës së Gjilanit, për të investuar dhe ndërtuar një të ardhme këtu. Brenda vetëm një viti, ai ka arritur të krijojë një fermë bujqësore funksionale dhe moderne, me synime të qarta për zgjerim dhe zhvillim të mëtejshëm.
Kthimi i tij nuk është vetëm personal, por edhe një shembull i frymëzues i mundësive që ofron Kosova për ata që besojnë dhe punojnë me përkushtim. Komuna e Gjilanit, përmes kryetarit Alban Hyseni, ka shprehur përkushtimin për të mbështetur këtë dhe iniciativa të ngjashme me projekte konkrete, makineri bujqësore dhe qasje në mundësi të reja zhvillimi rural.
“Ne si komunë do të jemi gjithmonë në krah të qytetarëve që vendosin të ndërtojnë jetën dhe biznesin në vendin e tyre. Investime si kjo e Fadilit janë shtyllat mbi të cilat ndërtojmë Gjilanin që duam”, theksoi kryetari Hyseni.
Ky është vetëm fillimi për Fadil Ajetin – dhe një dëshmi që kthimi në atdhe mund të jetë një kapitull i ri i suksesit.