Qytetarët e Kosovës nga dita e sotme nuk do të mund t’i përdorin telefonat e tyre me kodet +377 dhe +386. Nga data 15 e këtij muaji kodi i vetëm zyrtar i shtetit për komunikim telefonik është +383. Dy operatorët më të mëdha në Kosovë, Vala dhe Ipko kanë njoftuar edhe zyrtarisht se i kanë ndërruar kodet e tyre.
Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka bërë të ditur se operatorët që përdorin ende prefikse telefonike të huaja në Kosovë do të vazhdojë të vlejë gjoba bazuar në vendimin e ARKEP nr 1263.
ARKEP potencon se siç është bërë e ditur më herët implementimi teknik i kodit telefonik të Republikës së Kosovës +383 është përgjegjësi e vet operatorëve të telefonisë në Kosovë.
“Për këtë qëllim operatorët janë gjobitur me shumën prej 10,000 eurosh, e cila gjobë është e caktuar në baza mujore deri në një vendim tjetër të ARKEP apo në largimin e plotë të kodeve të huaja në përdorim në Kosovë. Aktualisht kemi zotimin publik të operatorëvese ndërprerja e kodeve për përdorim në Kosovë do të ndodhë deri me datën 15 shkurt 2019”.
Po ashtu, në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare kanë thënë se qytetarët të cilët nuk ndërrojnë prefiksin për thirrje, numra nuk janë më të qasshëm prandaj duhet të përditësohet lista e përdorueseve me prefiksin+ 383.
“Ju bëjmë thirrje edhe operatorëve të tjerë të bëjnë ndërprerjen e kodeve të huaja sa më shpejtë. Përndryshe për operatorët që përdorin ende prefikse telefonike të huaja në Kosovë do të vazhdojë të vlejë gjoba e pacaktuar nga ARKEP bazuar në vendimin e ARKEP nr 1263”.
Ditë më parë është bërë e ditur se shfrytëzuesit e Facebook dhe Instagram-it duhet të përditësojnë numrin e telefonit nga prefikset +377 në prefiksin shtetëror +383.
Mentor Hoxhaj, ish-mbikëqyrës shtetëror në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ekspert i sigurisë së informacionit ka thënë se secili rrezikon të mos ketë qasje në këto dy rrjete sociale apo në e-mail.
“Te gjithë shfrytëzuesit e Facebook dhe Instagram, dhe kudo që keni 2FA ( si në gmail etj) duhet të përditësoni numrin e juaj të telefonin nga prefikset +377/+386 në prefiksin shtetëror +383. Ne të kundërtën do rrezikoni të mos keni qasje në Facebook & Instagram apo në e-malin tuaj. Ngase nga 14 shkurti i vetmi prefiks që do jetë në shërbim do jetë prefiksi +383”, ka shkruar ai.
Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) në pajtim me marrëveshjen e telekomit në mes të Kosovës dhe Serbisë në muajin dhjetor të vitit 2016 pati lëshuar kodin telefonik për Kosovën.
Ishte paralajmëruar se brenda një periudhe 18 mujore të bëhet ‘migrimi’ i sim-kartelave vendore në kodin e ri nga kodet ekzistuese +377 (kodi i përdorur nga Vala) dhe +386 (që përdoret nga operatori IPKO) si dhe largimi i menjëhershëm i kodit për telefoni fikse +381.
Zyrtarisht përdorimi i kodit +383 filloi të përdoret nga marsi i vitit 2018, ndërkohë që përdorimi i kodeve +377 dhe +386 pritej të përfundojë në muajin qershor.
Gjatë kësaj periudhe tranzitore është dashur të bëhen marrëveshje individuale me operatorë të huaj telefonikë në mënyrë që ata t`i hapin ‘routat’, për thirrje ndërkombëtare hyrëse dhe dalëse me kodin e ri.
Operatorët telefonikë kishin kërkuar që afati për këtë implementim deri në tetor të vitit të kaluar. Për këtë ARKEP caktoi 15 shkurtin e këtij vitit si afati i fundit që operatorët telefonikë të largojnë kodet telefonike +377 dhe respektivisht +386.