Nga dita e mërkurë, më 17 mars nuk do të ketë transport të udhëtarëve urban dhe ndërurban në gjithë vendin për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Transportit të Udhëtarëve dhe Ministrisë së Infrastrukturës për subvencionin e operatorëve në këtë sektor.
Kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, tha se sot këshilli drejtues vendosi të mbajë protestë prej ditës së mërkurë të javës së ardhshme.
“Me keqardhje dua t’iu njoftoj se nga 17 marsi, ditë e mërkurë, kemi marrë vendim për të hyrë në protestë-grevë për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjeve ndërmjet shoqatës dhe qeverisë. Jemi një sektor që kemi humbur mjaft në pandemi për shkak të gabimeve të menaxhimit të qeverisë me COVID. Jemi atakuar me vendime të qeverisë”, tha ai.
Protesta do të vazhdojë në forma të ndryshme, derisa të përmbushen kërkesat.