ALB TECH hap fabrikën më moderne në Ballkan
Kompania ALB TECH ka vënë sot në funksion fabrikën e saj të re në Gjilan, e cila konsiderohet si ndër më të avancuarat në Ballkan për prodhimin e materialeve për ndërtim dhe interier. Me një fokus të veçantë në cilësi dhe teknologji të re, kjo fabrikë synon të rrisë dukshëm rolin e Kosovës në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Objekti është i pajisur me pajisje moderne nga Zvicra, Gjermania dhe Italia, dhe do të prodhojë roleta zvicerane, rrjeta mbrojtëse dhe produkte të tjera të specializuara që deri tani importoheshin. Këto do të jenë në dispozicion të tregut vendor dhe atij ndërkombëtar, ekskluzivisht nën markën ALB TECH.
Përfaqësuesit e kompanisë thanë se ky investim është një hap i madh për industrinë vendore, duke e kthyer Kosovën nga konsumator në prodhues të fuqishëm. Përveç ndikimit ekonomik, fabrika pritet të krijojë vende të reja pune dhe të ndihmojë në trajnimin e fuqisë punëtore në vend.
ALB TECH po synon që përmes kësaj fabrike të bëhet një emër i njohur në eksport dhe një shembull i zhvillimit industrial.