Shkruan: Premtim Fazliu
Për të gjithë ata që nuk e dinë, Karaçeva është fshati i cili gjendet në verilindje të Komunës së Kamenicës, saktësisht, Karaçeva është fshati i cili nga ana lindore e saj kufizohet me fshatrat e Komunës së Bujanocit, respektivisht me Serbinë.
Fshati është i ndarë në dy pjesë. Karaçeva e epërme dhe Karaçeva e poshtme. Si një tërësi e vetme e fshatit ajo ka një hapësirë prej 924.19 hektarësh, prej tyre, 48.07% e tokës në Karaçevë të epërme është sipërfaqe bujqesore, dhe 86.5% tokë bujqësoree është në Karaçevë të poshtme, që i bën këto dy vende tejet atraktive për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit malor/alpin.
Në vitet e tyre të arta, respektivisht koha para periudhës së viteve të 90’ta, Karaçeva ishte në hovin e saj zhvillues. Në Karaçevë ka resurse natyrore siç është Graniti i kaolinizuara (Kaolini), rezervat e së cilës janë rreth 3.5 milion tonelata. Rezervat e Benotitit llogariten të jenë rreth 1.2 milion tonelata. Tufet, material për industrinë e çimentos, rezervat e së cilës llogariten të jenë rreth 2.5 tonelata, Thëngjilli me shtresë 0.8m, etj, etj. Aty ekzistonin fabrika dhe xehërore që përdoreshin për prodhimin e çeramikës, e që mesatarisht numëronte nga 80-100 punëtorë. Atë botë, zhvillohej bujqësia dhe rendimenti i prodhueshmërisë së përgjithshme ishte në nivele të larta. Rrallëkush ishte i papunë.
Sot, përveç faktit se janë mbyllur fabrikat dhe nuk punohet asgjë, që nga përfundimi i luftës e deri në këtë moment, statusi i saj gjeo-politik mbetet i padefinuar.
Me përfundimin e luftës dhe futjen e Forcave të Natos në Kosovë, respektivisht në Karaçevë, sigurisht se ndihej fryma e lirisë, të qenurit sovran dhe në pritje të shtetformimit të Kosovës.
Fillimisht, në Karaçevë zbarkuan trupat ruse dhe amerikane. Bile, Ushtria Amerikane për shkak të pozitës të përshtatëshme gjeografike dhe ushtarake të fshatit, pat vendosur për të krijuar një kamp ushtarak, i cili qe vendosur në hyrjen perendimore të fshatit, apo siç njihet nga fshatarët “Kampi i Kforit te lloçi”, Kamp ky i cili qëndroi aty për vite të tëra.
Ndërkaq, Forcat Ruse aso kohe u patën vendosur, në krahun lindor të fshatit, përkatësisht diku 500m në largësi të pikës kufitare me Serbinë, përkatësisht me pikën kufitare të fshatit Breznicë, të Komunës së Bujanocit. Edhe ata qëndruan aty për një kohë relativisht të gjatë. Poashtu, një tjetër kamp me përmasa më të vogla, u pat ngritur në pjesën më të lartë të fshatit, konkretisht, diku 500m larg pikës tjetër kufitare me Serbinë, në hyrje të fshatit Muhoc, edhe ky fshat i Komunës së Bujanocit.
Me largimin e forcave ushtarake të KFOR-it, banorët e kësaj pjesë të Kosovës, filluan të ndihen të pasigurt. Kjo për faktin se në këtë terren të lirë dhe të pambikqyrur ushtarakisht, xhandarmëria serbe futjen në brendësi të fshatit, pa ndonjë paralajmrim ose leje për të qarkulluar në këtë territor. Frika shtohej në vazhdimësi.
Duke parë këtë situatë, banorët e Karaçevës në vitin 2008, patën organizuar një protestë në shenjë pakënaqësie me situatën dhe klimën e pasigurt atje.
Dhe siç edhe mund të imagjinohet, ky shqetësim i banorëve hasi në vesh të shurdhër.
Rishtazi, tashmë dhjetë vite pas, NATO-ja vendosi disa tabela njoftuese, në gjashtë gjuhë, përjashto këtu gjuhën shqipe, e cila zgjoi panikë dhe pakënaqësi të madhe të banorëve të atjeshëm. Me ç’rast, u organizua një protestë solide, për të shprehur shqetësimet e tyre rreth ngjarjeve të fundit.
Shqetësimi i banorëve ishte se me vendosjen e këtyre tabelave, po paralajmërohet se si do të jetë demarkimi i kufirit me Serbinë, që në rastin e Karaçevës i bie se do te mbetej në territorin e Serbisë, ose në rastin më të mirë, territor neutral.
Gjenerali i Kforit, z. Bajata, atë ditë theksoi se tabelat janë vendosur për qëllime të NATOs dhe nuk kanë të bëjnë me përcaktimin e kufirit.
Sidoqoftë, brenga e banorëve mbetet e ngrirë.
Ndonësë demarkimi i kufirit me Serbinë, është një proces i cili besohet se do të ndodh në një të ardhme të afërme, banorët e Karaçevës mbesin të përkushtuar për të hasur sa më shumë argumente që do ta dëshmonin se ky fshat do të mbetet me Kosovë edhe pas dermakimit të kufirit.
Mes shumë rrëfimesh, dokumenteve kadastrale dhe pronësore, pronarët e tokave të Karaçevës, si para poashtu edhe pas luftës së fundit, kanë paguar tatim në Komunën e Kamenicës. Pra, dokumentet kadastrale e njohin këtë fshat si territor të Kosovës. Sigurisht se jemi të vetëdijshëm, se para luftës Kosova ka qenë pjesë e Jugosllavisë, e cila është cilësuar si një shtet i vetëm. Argumenti më i fuqishëm mbetet Marrëveshja e Kumanovës.
Me aq sa është bërë publike në opinion, Marrëveshja e Kumanovës precizonte përcaktimin e kufinjëve mes Kosovës dhe Serbisë. Në dokumentet e kësaj marrëveshjeje që janë të publikuara, nëse interpretohet saktë teksi i saj, përkatësisht neni 3, të datës 9 Qershor, 1999, përcaktimi i vijës kufitare të Kosovës dhe Serbisë nuk janë të sakta.
Në nenin 3, paragrafët (d) dhe (e) saktësisht thuhet:
d) Zona Ajrore e Sigurisë (ASZ) është përcaktuar si një zonë 25 – kilometërshe që zgjatet jashtë territorit të Kosovës, në pjesën tjetër të territorit të RFJ-së. Ajo përfshin hapësirën ajrore mbi atë zonë 25 kilometra.
e) Zona Tokësore e Sigurisë (GSZ) është përcaktuar si një zonë 5 – kilometërshe që zgjatet jashtë territorit të Kosovës, në pjesën tjetër të territorit të RFJ-së. Ajo përfshin terrenin brenda atyre 5 kilometrave.
Pra, në asnjërën pikë të Marrëveshjes nuk përcaktohet se ku është kufiri, po vetëm shtrirja e zonave.
Kujtoj se Komandant i parë i KFOR-it në Kosovë, ka qenë Gjenerali britanik, Sir Michael David Jackson, i cili, në një intervistë në një television të Kosovës kishte deklaruar; “ E vetmja çështje kufitare që ka qenë në anën e serbëve me përjashtim të 5 ose 10km ku do të vendoseshin forcat dhe ku do të dakordoheshin rrugët dalëse për forcat serbe”.
Në vitin 2014, pas protestës së radhës në fshatin Karaçevë, Samuel Zhbogar pat deklaruar qartë se NATO është përgjegjës për vijën kufitare dhe ai pati kërkuar ndihmë nga NATO. Bile, ai deklaronte se problemi i Karaçevës nuk guxon të stërzgjatet sepse mund të krijojë probleme të paparashikueshme.
Njejtë pat deklaruar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, asokohe z. Bajram Rexhepi, duke thënë se siguria në rajonin e Karaçevës është përgjegjësi e KFOR-it.
Supozoj se duke ditur ndjeshmërinë e madhe në popullatë, sot, gjithsecili po e bartë përgjegjësinë tek tjetri. Ministria e Brendshme thotë se është përgjegjësi e KFOR-it, këta thonë se nuk është mandat i tyre përcaktimi i kufinjëve, dhe si përfundim, banorët e atjeshëm mbeten nën mëshiren e fatit dhe në panikë të vazhdushme deri në përcaktimin final të statusit të atij territori.
Gjatë bisedimeve për Marrëveshjen për Menaxhimin e integruar të kufirit (IBM), Kosova zyrtare ka dështuar ta shtrojë këtë problematikë. Në një vend ku ndalohet patrullimi i Policisë së Kosovës, Zjarrëfikësve, etj, padyshim që lë të kuptohet se Karaçeva ka premisat e duhura për të mbetur nën Serbi ose vend neutral. Sigurisht se është dashur të insistohet që Serbia t’i tërheq xhandarmërinë nga kufiri me Kosovën dhe në vend të saj të vendos policinë e rregullt kufitare, siç ka bërë me shtetet tjera fqinjë, por, përkundrazi, Serbia herë pas herë përkujdeset që të mos largohet frika nga banorët, duke futur ushtarët serbë në brendësi të fshatit.
Deri në kohën e përcaktimit të demarkimit të kufirit Kosovë-Serbi, banorët e Karaçevës do të vazhdojnë të mbesin përveç se të izoluar, ata mbesin me një fije shpresë se ky fshat me rrethinë, do të mbetet në territor të Kosovës.
Është e dhimbëshme të mendohet se fare pak kush u jep përkrahje atyre. Ndonëse është çështje jashtëzakonisht i ndjeshme, ata sigurisht se meritojnë ta dinë fatin e tyre. Karaçeva meriton të rikthejë shkëlqimin e viteve të 60’ta.
Së paku, urojmë dhe shpresojmë se nuk do të hasim në momente kur nevojitet Policia e Kosovës apo Zjarrëfiksat, meqë ata e kanë të ndaluar për të qarkulluar përgjatë fshatit.
/P.s. Në linkun e mëposhtëm keni Marrëveshjen e Kumanovës, në gjuhën angleze.
https://vargmal.org/dan5809 /