——————————————————————————————-
Kush i përshëndeste të vdekurit derisa percilleshin për në banesën e fundit…!
KTHIMI NË KOHË!
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës
KUJTIMET NGA RRUGA KRYESORE E QYTETIT (12.)
Në rrëfimin dymbëdhjetë, dr. Shevqeti na sjell episode shumë nga jeta e dikurshme në Gjilan, me fotogafi e fjalë.
/Rrëfimi i dymbëdhjetë/
Ah Gilan!
Rrugët e kubëzave, hijet e plepave dhe aroma e blirëve, shitoret, ndërtesat dy-tre katëshe, bekritë e njohur të qytetit, kultura qytetare…
12.
Rruga kryesore ishte magjepse: me kubëza, me blina dhe plepa. Ishte pamje impozante dikur! Sot, dukesh si lakuriq, pasi moda dhe kuptimi i jetës kështu po e kërkon! Në sokakun që çon pas shkollës gjendej ‘Gurgushka’, qe shiste dardha të kuqe dhe leblebia. Prapa ishte Hasan Sylqevci, që kishte berberhane, ku takoheshin bekritë e dikurshëm të Gilanit: Mala, Hasani i Saliqavëve, Vehbi Malisheva, Naka, Alushi. Pastaj, në këtë punëtori u vendos ortari serb. ‘Gurgushka’ shpeshherë e vizitonte oborrin e shkollës “Musa Zajmi” kur unë isha nxënës. Afër ishte edhe ëmbëltorja “Kitka”, që kishte një lokal të ngushtë dhe të gjatë. Pronarin, që ishte ‘haxhi’ e kam kontrolluar disa herë në shtëpi.
Shtëpia e qendërsulmusit të njohur të KF Crvena Zvezda, Zhika, kishte dritaren e kthyer kah rruga kryesore. Aty ishte berberhanja e “berkës”, që në punëtori kishte fotot e reklamave të filmit.
Aha Gilan…!
Nexhat Radivojci, që ishte i familjes së Nallbanëve kishte punëtorinë ku punonte shporetë, kube (stufa për ngrohje), gjygyma, kusia dhe qynka. Dikur ishte fqiu im ne ‘Qarshi më hallë’. Bashkëshortja e tij, Batishahe, ishte shoqe e ngushtë me nënën time deri në vdekje. Nexhati vdiq me 1976, punëtoria u mbyll, pastaj u hap shitorja e tekstilit “Arila”, ku punonte Dunja. Sterxha ishte rrobaqepës i njohur i zhgunave, kishte shitoren pranë Nexhat Radivojcit. Për të hyrë në shitore duhej ngjitur tre shkallë. Ishte trup shkurtër, i qetë, ishte karekteristike gjesti tij me rastin e vdekjes së qytetarëve. Mbyllte shitoren, dilte jashte, heqte kapelën dhe përshendeste të vdekurin! Ishte shenjë respekti nga ana e tij për të vdekurin.
Sadiku e kishte shitoren e pemshitjes të organizatës “16 Nëntori”, pastaj ishte shitorja e famshme “Beko” që shiste gardërobë, ishte shitore me emër. Aty punonte Tomça, ishte bekri, shoqërohej me Dulën dhe bekritë tjerë të qytetit. Punonte së bashku me bashkëshorten.
Ndërtesa ishte tri katëshe: në katin e parë ishin shitoret “Borovo” – ishte shitore e këpucëve. Ne, fëmijët, tërë ditën, në vitet e 1960 shikonim këpucët dhe pushonim sytë duke ëndërruarr se një ditë do të veshim këpucë të tilla. Aty afër punonte Syla i Llashticës me kushëririn tim, Kemalin. Ai, Kemali, u shpërngul në Burse të Turqisë.
Në këtë ndërtesë banonin Shefki Grabovci, i cili një kohë ishe mësimdhënës me bashkëshorten e vet në shkollën “Musa Zajmi”, Haxhi Vokshi – ishte profesori im, dr. Gordana Zafiroviq, Ekrem Gjinolli dhe dr. Sadetin Adiler. Une Gilan kam algoritmin tim te jetes qe eshte formua nga impresionet e vendaseve te mij.
AH GILAN, AH ZAMAN!
Pasqyra sociale me vite ka ndryshuar, çdo gjë është përzier. Në rrugën kryesore, në vitet e 60-ta kalonte ndonjë karrocë me lopë, më vonë ndonjë fiqë. Rrrugët ishin shumë të pastërta, trotuari ishte me disa pllaka katrore me via. Pastaj, prapa ndërtesës tri katëshe ishte një zbrazëtirë ku luanin fëmijet rom.
Në shtëpinë dy katëshe me ngjyrë të bardhë, që kishte dritaret e kthyera kah qyteti, banonte bojaxhiu, që djalin dhe nusen i kishte mesimdhënës në paralelet serbe në shkollën “Musa Zajmi”. Afër ishte furra dykatëshe e Ilazit, ku në katin e dytë ishte një dhomë banimi. E tërë kjo zonë furnizohej me bukë nga kjo furrë. Lipovicasit dhe Uglarasit shkarkonin gomerët me drunj për furrën. Afër ishte shitorja e vëllaut të Jusufit. Pastaj, fillonte sokaku i romëve. Pastaj, këtu filloi punën gjelltorja “Ballkan”, në të cilën vinin njerëzit nga fshati, të shtuneve për pazar, pasi pazari i kafshëve gjendej aty ku janë zjarrëfikësat.
Parku i qytetit kishte filluar të rregullohej në vitet e 50-ta. Në fëmijërinë time më kujtohet se ishte e kufizuar me taraba (dërrasa), ndërsa skaj tarabave kishte ‘mazidale’, pastaj lugu i ujit që rridhte prej rrugës prapa spitalit. Parku shtrihej deri te rruga e Poneshit, ku banonin romët musliman. Në skaj të parkut kah rruga kryesore ishte kioska e Janjevaliut, që shiste gjëra nga mesingu(zinku) dhe argjendi, lojëra të ndryshme, lugë… Afër ishte punëtoria e berberit, ku, ne fëmijët, kohë pas kohe shkonim me i rregullue flokët.
Jeta në Gilanin tim ishte si loja me kubëza që sot luajne fëmijët. Atëherë ngjyrat e jetës ishin më intezive. Afërsia shpirtërore ishte në nivel, thuajse ishte çdo ditë panairi i tregimeve të ëmbla shpirtërore.
Gilani kishe një biografi që tani dëshirojnë ta fshehin njerëzit e tu që u shëtitën nëpër rrugën kryesore; ta fshehin të kaluarën në kthinat e pafundta që nuk kanë dalje.
Gilan, për ty ka vend boll, me i shtri këmbët, jo me u strukur me një kend…
EJA GILAN ME BIOGRAFINË TËNDE ASHTU SIÇ ISHE, MOS PRANO KOZMETIKËN KU KA ELEMENTE TOKSIKE. NËSE I PRANON, SËMUNDJET SHPEJTË DO TË VIJNË. UNË ATËHERË NUK DO TË KEM KUJTIME PËR TY DHE NJERËZIT QË TA FORMUAN BIOGRAFINË E JETËS!
/Autor i shkrimit: Dr. Shevqet Mehmeti/
/redaktoi për shtyp, editori i faqes: Nexhat Buzuku/