Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) është duke bërë përpjekje që të hyjë në fuqi nga data 1 qershor marrëveshja me Malin e Zi, për njohjen reciproke të policave për sigurimin e automjeteve.
Në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i BKS-së, Sami Mazreku thotë se Qeveria duhet nxjerr një udhëzim të ri për regjistrimin e automjeteve, që po ashtu do të ndihmonte në procesin për ta bërë Kosovën pjesë të kartonit të Gjelbër.
Tutje Mazreku tha se si pasojë e pandemisë kanë 47% më pak të hyra.
“Nëse flasim për vitin 2020 për Byronë Kosovare të Sigurimeve pandemia ka bërë që bashkatdhetarët mos të vijnë në Kosovë, që i bie që kemi minus 65% më pak në numër të polisave të shitura ndërsa sa i përket të hyrave kemi rreth minus 47% më pak të hyra. Ajo çka po na përcjell edhe këtë vit është rritja e numrit të dëmeve. Edhe pse kemi masa kufizuese kemi rritje të madhe të aksidenteve. Mbi 80% çdo kategori nëse flasim për dëme pa sigurim”, shtoi Mazreku.
Mes tjerash, Mazreku tha se janë në diskutime me Malin e Zi në mënyrë që qytetarët e dy vendeve të lëvizin lirshëm pa pasur nevojë të paguajnë për polisën e sigurimit të automjetit.
Ai thotë se janë duke bërë përpjekje që marrëveshja të përfundoj sa më shpejt dhe të hyjë në fuqi nga data 1 qershor e këtij viti.
“Që nga data 1 marsi kam rifilluar diskutimin me Malin e Zi. Për një kohë kaq të shkurtër mund të ju konfirmojë se kemi arritur deri te diskutime teknike që kanë të bëjnë me një fond garantues në modalitetet e marrëveshjes. Ajo që po bëjmë kohëve të fundit është diskutimi i brendshëm brenda organeve të Byrosë. Besoj shumë shpejt do të marrim një vendim për ndarjen e një fondi me Malin e Zi, fond ky që garanton kohë reale pagesën e dëmeve përmes të dyja vendeve. Pasi të tejkalojmë këto diskutime teknike ajo çka na mbetet neve është caktimi i një date nënshkrimi i marrëveshjes dhe ajo çka unë kam kërkuar duke ditur që tashmë fillon edhe sezona verore që kjo marrëveshje të jetë në fuqi nga data 1 qershor. Ky është një lajm i mirë për qytetarë sepse gjatë kohës së verës nuk kemi nevojë me prit dhe me pagua një sigurim kufitar. ajo çka kemi diskutuar është edhe njohja reciproke e policave të sigurimit që i bie që Mali i Zi në Kosovë hynë me karton të gjelbër. Ndërsa ne nga Kosova do të udhëtojmë me të njëjtin sigurim që udhëtojmë edhe në Maqedoni”, tha ai.
Numri i madh i veturave të paregjistruara është vetëm një nga problemet që Kosova duhet të zgjidhë para se të bëhet aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Byrosë Evropiane që siguron Kartonin e Gjelbër.
Mazrekut thotë se për zgjidhjen e kësaj çështje e shohin partner qeverinë. Megjithatë, Kosova këtë proces mund ta nisë vetëm brenda institucioneve duke bërë zgjidhjen e problemeve të brendshme, por jo të bëjë aplikim, pasi që me marrëveshjen e nënshkruar në Ëashington më 4 shtator, Kosova ka rënë dakord që të vendosë moratorium njëvjeçar mbi kërkesën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Fokusi jonë kryesor në raport me qeverinë do të jetë për çështjen e një problematike që industria e sigurimeve mirëpo edhe shteti po humb miliona euro çdo vit qysh është edhe numri i lartë i veturave të paregjistruara. Raporti ynë me qeverinë është të nxirret një udhëzim i ri për regjistrim e veturave ku me këtë udhëzim fillimisht do të pastrohen listat e vjetra”.
Tutje, Mazreku thotë se janë duke bashkëpunuar me Bankën Qendrore që të pajisin me kamera Policinë e Kosovës.
Po ashtu, Mazreku thotë se kanë dërguar një propozim te Ministria e Infrastrukturës që veturave t’u vendoset një datë e skadimit në xham, në mënyrë që të jetë më lehtë e identifikueshme për Policinë nëse automjeti është i regjistruar apo jo.
“Jemi duke diskutuar që Byroja për herë të parë në bashkëpunim me Bankën Qendrore të investojë te Policia e Kosovës me pajisje teknologjike ku kam propozuar që Prishtina të jetë një pilot projekt të vendosen disa kamera. Kosova nuk ka stikera për xhama dhe formë alternative që një veturë gjatë vitit të dallohet a është me regjistrim apo pa regjistrim. Kemi propozuar të Ministria e Infrastrukturës që njëjtë sikurse Mali i Zi edhe shtetet tjera veturat tona gjatë regjistrimit të vendosin një datë të skadimit të veturave në xham për shkak se policia e ka më lehtë me identifikua. Si Byro po shkojmë me modalitete të tjera mbas Malit të Zi se çka mundemi për të bërë shtesë duke ditur që Kosova ka pengesë të kartonit të gjelbër për shkak se nuk është pjesë e OKB-së të shohim forma alternative që të bëjmë zgjidhej sa i përket kartonit të gjelbër dhe qeverinë e shohim partner në këtë proces”, shtoi Mazreku.
Mazrkeu tha se nëse një bashkatdhetar e merr një polisë 15 euro për dy javë pagesat shkojnë deri në 1.2 milion euro.
“Pagesa për mërgimtarë janë ashtu qysh janë tarifat e aprovuara nga Banka Qendrore. Çmimet janë shumë të vogla. Nëse një bashkatdhetar e merr një polisë 15 euro për dy javë pagesat shkojnë deri në 1.2 milion euro, që i bie që ai person dëmet që mund të shkaktojë në Kosovë deri në 1.2 milion euro mbulohet me polisë. Tarifat nuk i ndryshojmë kurdo që ne dëshirojmë, kurdo që ka ndryshime propozohen në Bankën Qendrore dhe Banka Qendrore i aprovon. Aktualisht vazhdojnë të paguhen në kufi”, tha ai.