Sot Gjilani kremton festën e vet të veçantë – Ditën e çlirimit, Ditën e lirisë.
Qytetarët po i gëzoheshin hyrjes së forcave aleate të NATO-s në Kosovë, e në veçanti në Gjilan. Mirëpo, ishte një moment tjetër më ngazëllyes për ta, më i veçanti nga të gjitha ditët tjera, nga të gjitha epokat e historisë së Kosovës, që u shfaq për herë të parë atë ditë, pikërisht më 15 Qershor 1999: hyrja triumfale në qytet, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e luftëtarëve të Brigadës “Kadri Zeka”, të Zonës Operative të Karadakut.
Qytetarët e Gjilanit dhe të rrethinës, i madh e i vogël, burra e gra, atë ditë të madhe dhe jo të zakontë, po ngarendnin nga të gjitha anët t’i shohin; t’i përshëndesin; t’i përqafojnë; t’ua prekin dorën luftëtarëve të tyre me uniformën e luftës, me emblemën UÇK-së; t’ua puthin ballin dhe tytën e pushkës e t’i mbulojnë me lulekuqet e Kosovës martire.
Pse jo, ata ishin të tyre, ata ua sollën lirinë.
Të rraskapitur, të sfilitur nga lufta me pushtuesin serb, luftëtarët çlirimtar po zhdirgjeshin nga malet, nga të gjitha anët, po marshonin ballëlart qytetit.
Ata po vinin krenar me kurorëzimin e luftës së tyre për liri, por të mangët në shpirt e në numër: po u mungonin shokët e luftës!
Nga lufta asnjëherë nuk kthehen të gjithë.
Këtij marshi triumfues nuk po i printe komandanti i parë i tyre – Abdullahu. Zëri i tij i fuqishëm, i kushtrimit për luftë, kishte tmerruar pushtuesin, siluroi dhe falangat e tij edhe në këto anë.
Në këto radhë nuk ishte Agimi, as Nushja e Tefiku, as Albani e Paja…dhe të tjerë luftëtarë.
Ata më përpara kishin sjellë sihariqin e lirisë dhe ishin kthyer në muranë të saj, kishin ngrehë shtat, kishin mbërri sa bjeshka.
(e risjellë)
Autori i shkrimit është Shefik Surdulli, veteran i UÇK-së dhe ish asamblist i PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit.