Derisa për ngasje të automjetit nën ndikimin e alkoolit, deri këtë vit, dënimi ka qenë vetëm me gjobë dhe ndalim të drejtimit të veturës, nga muaji i ardhshëm kjo do të konsiderohet vepër penale.
Ndryshimet në Kodin Penal, i cili pritet të hyjë në fuqi në muajin prill, ngasjen nën ndikim të alkoolit e parashohin si vepër penale, raporton KTV.
Neni 371 i Kodit Penal parasheh se nëse një person kryen aksident nën ndikim të alkoolit, mund të dënohet deri në 3 vjet burgim.
E gjithë kjo, sipas prokurorit Besim Kelmendit, u bë me një qëllim – uljen e numrit të lartë të aksidenteve në trafik.
Por, ekspertët e komunikacionit po thonë se ky nen i Kodit Penal të Kosovës është në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor.
Policia e Kosovës ka disa muaj që ka nisur me një sërë planesh operative për parandalimin e aksidenteve në trafik.