Në Kosovë nga nesër pritet të fillojë lehtësmi i masave kufizuese kundër përhapjes së COVID-19.
Qeveria e Kosovës vendosi të premten lehtësimin e masave kufizuese pas vlerësimeve se situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme dhe është shënuar rënie e rasteve të reja të të prekurve nga COVID-19.
Nga nesër hiqet kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe zgjatet deri në orën 23:00 orari i punës së kafeneve dhe restoranteve. Po ashtu, mbajtja e maskave nuk do të jetë e detyrueshme kur një person është vetëm në mjedise të jashtme.
Megjithatë, nga mesnata deri në orën 05:00, nuk do të lejohet grumbullimi i më shumë se dhjetë personave, qoftë në mjedise të hapura, qoftë në mjedise të tjera, përveç në mjediset familjare.
Krahas lehtësimit të masave ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se është arritur një marrëveshje me kompaninë Pfizer për blerjen e 1 milion e 213 mijë e 290 dozave të vaksinës për COVID-19.
Deri tani Kosova nuk ka pasur asnjë vaksinë të blerë por ka filluar procesin e vaksinimit me dhurimet nga programi COVAX dhe Bashkimi Evropian.
Gjatë pesë ditëve të fundit, në vend janë regjistruar 124 raste me koronavirus dhe tre viktima.
Që nga marsi i vitit të kaluar Kosova ka regjistruar 107 mijë e 382 raste të të prekurve nga koronavirusi. Prej tyre 2 mijë e 243 veta kanë humbur jetën.