Ministria e Shëndetësisë (MSh) në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka marrë vendim që për shkak të temperaturave të larta, të kufizohet orari i punës nga nesër (13.07.2024) deri më datë 20.07.2024 për disa kategori.
Kufizim i orarit të punës përgjatë temperaturave të larta vlen për këto kategori:
- Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna.
- Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë.
- Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.
- Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta”, thuhet në vendim./teve1.info/