Instituti Ndërkombëtar për Sigurinë me qendër në Beograd përmes një letre i ka bërë thirrje Asamblesë Parlamentare të NATO-s që të mos miratojë statusin e Kosovës si një anëtare e asociuar e organizatës në seancën që pritet të mbahet të premten.
Në këtë letër Serbia pretendon se dhënia e statusit për Kosovën do të ishte vendim i dëmshëm.
“Si një organizatë eksperte që përfaqëson dhe promovon integrimin euroatlantik dhe vlerat e tij për dy dekada, duke përfshirë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO, Instituti Ndërkombëtar i Sigurisë beson se dhënia e statusit të një anëtari të asociuar për Kosovën do të ishte i dëmshëm si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe veçanërisht për proceset e stabilizimit dhe integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër, raporton agjencia e lajmeve Beta.
Aplikimi i Republikës së Kosovës për të qenë anëtar i asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të jetë në agjendë të takimit që ky institucion do ta mbajë nga 25 deri më 27 maj në Sofje të Bullgarisë.