Gjatë ditës së djeshme drejtuesit e Dritës gjetën marrëveshje në parim për shitjen e Arbnor Mujës tek Antwerp. Nga kjo shitje do të përfitojë edhe një klub tjetër kosovar: Trepça ’89.
Sulmuesi 23-vjeç, Arbnor Muja, mbrëmë luajti ndeshjen e tij të fundit me Dritën. Vetëm dje e kishte rival Antwerpin, pasi nga javët në vijim ai do të jetë ambienti i ri i tij, ku do ta zhvillojë karrierën si futbollist.
Palët kanë rënë dakord në parim për kushtet e transferimit të tij në Belgjikë. Ky lajm mori vëmendjen ndoshta më shumë sesa vetë epilogu final i ndeshjes, ku Drita humbi me rezultat 0:2.
Sidoqoftë, lajmit nuk iu gëzua vetëm Drita, por edhe një klub tjetër. Bëhet fjalë për Trepçën ’89, aty ku luajti Arbnor Muja deri në përfundim të sezonit 2021/2022, para se të transferohej te gjilanasit.
Abedin Zeka i Trepçës ’89 pranon se do ta gëzojnë një përqindje nga shitja e Arbnor Mujës
Trepça ’89 kur pati vendosur që t’ia shiste Dritës sulmuesin e saj, Arbnor Mujën, nuk është se nuk e kishte llogaritur një të ardhme të ndritur të tij.
“Minatorët” e liruan Mujën që t’i bashkohej Dritës, me kushtin që nëse do të shitej në të ardhmen në një klub evropian, atëherë ata do të përfitonin një përqindje të konsideruar parash.
Kjo klauzolë është e përfshirë në kontratën e Arbnor Mujës. Në lidhje me këtë çështje, Gazeta Nacionale gjatë ditës kontaktoi me Abedin Zekën, pronarin dhe presidentin e klubit Trepça ’89, i cili pranoi dhe konfirmoi një gjë të tillë.
Në pyetjen e Gazetës Nacionale nëse përqindja që do të inkasojë klubi mitrovicas nga shitja e Arbnor Mujës do të jetë prej 20% (siç ka mësuar Gazeta Nacionale nga burime të ndryshme afër klubit mitrovicas), Zeka dha një përgjigje jo të prerë.
“Ndoshta është më shumë se kaq apo ndoshta edhe më pak. Nuk është kompetente të flasim para se të kompletohet transferimi. Janë akoma testet mjekësore për t’u zhvilluar. A e keni parë se çfarë ndodhi me (Vedat) Muriqin?!”, nënvizoi ai.
Ai tregoi edhe momentin se kur e ka kuptuar se Drita ka arritur një marrëveshje me Antwerpin për shitjen e Arbnor Mujës.
“Trepça ’89 do të përfitojë (nga shitja e Arbnor Mujës), natyrisht. Unë e kam rritur atë lojtar. Kur dje më tregoi Valoni (Zymberi – drejtor i Dritës) që është kryer gjithçka, më erdhi vërtet keq”, shtoi Zeka.
Tutje, presidenti i Trepçës ’89 tha se nuk i di detajet e sakta të shitjes së Arbnor Mujës.
“Pasi të zyrtarizohet do të flasim. Nuk e di sa kushtoi shitja e tij. Lexova në gazeta që 400 mijë euro, por nuk e di a është e vërtetë. Më erdhi keq t’i pyesja (drejtuesit e Dritës). Pasi të përfundojë transferimi, do të zyrtarizohen detajet”, u shpreh Zeka për Gazetën Nacionale.
Drejtori i Dritës konfirmon se edhe Trepça ’89 do ta ketë përqindjen e saj të përfitimit nga shitja e Arbnor Mujës
Në një prononcim për Gazetën Nacionale, drejtori i Dritës, Valon Zymberi, pranoi se është e vërtetë që edhe Trepça ’89 do ta gëzojë një shumë parash nga shitja e kartonit të Arbnor Mujës.
“Po, përqindja është e vërtetë, sepse ka një përqindje të klauzolës”, potencoi ai.
Në pyetjen e Gazetës Nacionale se sa është shifra e asaj klauzole, Zymberi refuzoi të japë të dhëna konkrete.
“S’ka rëndësi. Me e rëndësishme është që edhe klubi i cili ka investuar në Arbnorin të shpërblehet”, shpjegoi ai.