Të shtunën, nga Gjilani do të organizohet nisja për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, në mbështetje të çlirimtarëve që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.
Nisja e organizuar do të bëhet në ora 11:00, nga Teatri i Gjilanit, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të qytetarëve pa dallim.
Në thirrjen drejtuar qytetarëve theksohet rëndësia e pjesëmarrjes në këtë ngjarje, si shenjë mbështetjeje për çlirimtarët.
“Ju ftoj të gjithëve, pa dallim, të bëheni pjesë e kësaj ngjarjeje tejet të rëndësishme, në mbështetje të çlirimtarëve tanë. Kosova po pret”, thuhet në thirrje.
Marshi synon të përcjellë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje nga qytetarët e Kosovës për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.









