Shkollat e Mesme të Komunës së Gjilanit këtë javë kanë qenë në qendër të raportimeve nga mediume të ndryshme, edhe atë për të keq, për supozime për ngacmime seksuale. Një ditë u raportua për ngacmim seksual e sjellje të pahijshme të një mësimdhënësi në Shkollën e Artit Pamor, për të pasuar më pas me dy raste të tjera në Shkollën e Mesme Ekonomikë “Marin Barleti”, ku sipas raportimeve kanë qenë të përfshirë një mësimdhënës i filozofisë – sociologjisë dhe një mësimdhënës i matematikës.
Kronikat për këto raste janë realizuar nga kolegët nga portali “Nacionale”, ku gazetarët zbuluan se ky skandal ishte edhe me i thellë.
Në to shihen disa nga nxënëset, të cilat në kushte anonimiteti pasqyruan me fakte këto ngacmime, nga ana e një profesori, i cili është i njohur për redaksinë. Për të qenë edhe më keq, të nesërmen nisi publikimi edhe i një skandali tjetër, ku shfaqen mesazhe se si një profesor përmes telefonit ngacmonte nxënësen e tij.
Edhe nëse teprohet me kualifikime për ngacmime seksuale, një mënyrë e tillë e komunikimit në raportet mësimdhënës – nxënëse është i pajustifikueshëm, ngase ata që janë të kualifikuar dhe paguhen për të edukuar e arsimuar gjeneratat e reja, kurrsesi nuk guxojnë të lëshohen në komunikime të tilla.
Edhe më e habitshme është heshtja e mësimdhënësve të apostrofuar e drejtorëve të tyre dhe sidomos heshtja e drejtorisë së Arsimit dhe e vetë drejtoreshës Albana Demiri, që janë punëdhënës të këtyre mësimdhënësve.
Në shkollat tona nuk ka vend për ngacmime seksuale e për komunikim në gjuhë që nuk i përket profesionit të mësimdhënësit, andaj raste si këto dhe të ngjashme me këto duhet gjykuar, ngase ato i qesin hije të keqe arsimit tonë dhe neve si popull që mëtojmë vlerat evropiane./Radio Star/