Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, në kuadër të angazhimeve të saj për rritjen e sigurisë në trafik dhe respektimin e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, gjatë muajit maj 2025 ka ndërmarrë kontrolle të shtuara në trafik ndaj automjeteve me xhama të errësuar.
Si rezultat i këtyre kontrolleve, janë shqiptuar gjithsej dyqind e dyzet e tetë (248) gjoba ndaj ngasësve të cilët kanë shkelur nenin 248, paragrafi 2, nën paragrafi 2.7 ‘’janë bërë ndryshime në mjet pa iu nënshtruar atestit përkatës‘’ të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili ndalon qartë modifikimin e xhamave të automjeteve në mënyrë që kufizon dukshmërinë përbrenda dhe jashtë automjetit, pa lejen apo aprovimin përkatës nga autoritetet kompetente.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë ligjet në fuqi dhe të heqin materialet apo foljet e errëta nga xhamat e automjeteve të tyre nëse nuk janë të autorizuara, në mënyrë që të shmangen masat ndëshkuese dhe të kontribuojnë për një mjedis më të sigurt rrugor për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.