Presidentja Vjosa Osmani, do t’i thërrasë sërish liderët e partive politike në takim, për shkak të situatës me ngërçin politik.
Kështu ka konfirmuar për Insajderin këshilltari për Media i Presidencës së Kosovës, Bekim Kupina.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i thërrasë liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vijim”, tha Kupina për Insajderin.
Tutje ai ka njoftuar se presidentja Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata.
“Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, ka thënë ai.