Ngritja e çmimeve të energjisë elektrike, naftës, vajit, sheqerti, miellit, por edhe shumë produkteve të tjera ushqimore në Kosovë vazhdon të jetë problem për qytetarët të cilët thonë se bizneset nuk kontrollohen nga shteti.
Ata thonë se ngritja e çmimeve në vend është bërë trend, përderisa Qeveria e Kosovës nuk po reagon.
Kryetari i shoqatës” Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka thënë për KosovaPress, se ekzekutivi i vendit është dashur të reagojë qysh në fillim kur ka pasur ngritje të çmimit të energjisë dhe produkteve tjera.
Kurse sa i përket ngritjes së çmimit të biletave të autobusit, ai tha se si organizatë e kanë paralajmëruar këtë dukuri që para dy javësh.
“Ne kemi reaguar qysh para dy javësh për nismën e ngritjes së çmimeve të biletave lokale, urbane dhe ndër urbane dhe këtë apel këtë reagim, këto ofshamë nuk na e dëgjoi Qeveria, nuk na e dëgjoi as Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ku bënë pjesë infrastruktura e cilësisë, departamenti dhe zyra për mbrojtjen e konsumatorit, as Ministria e Drejtësisë, as askush. Kjo dhemb shumë sepse kur askush nuk të dëgjon i bie sikur të jesh jetim, pra ka pas, ka dhe kam frikë se do të ketë në vazhdim ngritje të çmimeve jo sepse janë ato të arsyeshme por sepse është zhvilluar një oreks i ngritjes së stuhishme të çmimeve, një stampetë e ngritjes së çmimeve, një trend dhe nëse t’i nuk e ngrit çmimin nuk je trendi në ekonomi, nuk je trendi në treg. Ngritje e çmimit të emergjenteve siç është energjia elektrike, karburantet etj që është lënda e parë për prodhim për cilin do prodhim natyrshëm dhe logjikshëm ndikon në ngritjen zinxhirore të çmimeve. Prandaj Qeveria është dashur të reagojë që në fillim, të ndikojë te energjia elektrike, të ndikojë te karburantet, të ndikojë te të gjitha llojet tjera të energjisë elektrike, edhe te çështja e gazit të ketë qenë një vendim më popullor më fasilitues. Pra meqë kjo nuk ka ndodh të gjithë këta shikojnë me një sy shqiponje, me sy të prehtë nëse Qeveria nuk reagon, atëherë këta reagojnë dhe ja që zinxhiri, pra pas naftës, pas energjisë elektrike, pas gjithë kësaj buje, është bërë trendi ngritja e çmimeve, ne kemi një stampeto të pandalshme dhe kjo stampeto e pandalshme kam frikë se është ka i del nga dora Qeverisë. Qeveria duke u arsyetuar se çmimet i rregullon tregu, atëherë duhet ta vëjë në veprim tregun, nëse tregun Qeveria nuk mund ta vë në veprim, atëherë ne nuk kemi treg, nëse nuk kemi treg, atëherë pse nuk veprojnë ligjet, nëse nuk veprojnë ligjet, do të kishte treg nëse do të vepronte dhe do të kishte treg si rregullator çmimesh” ka shtuar ai.
Kurse, Fadil Berjani, kryetari i shoqatës së natarëve të Kosovës, në një përgjigje për KosovaPress, ka thënë se ngritja e çmimit të naftës nuk ka të bëjë më ngritjen e çminimeve të gjerave të tjera.
“Çmimet në Kosovë sot sillen Dizelli 1.18 deri 1.26 Benzina 1.22 deri 1.31. Çmimin e përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEC. Kur kemi reduktim të prodhimit, çmimet rriten. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion. Përveç, Maqedonisë Veriore që e ka dizelin më të lirë se ne, shkaku që akcizën e ka më të lirë për 22 cent për litër. Ndërsa benzina, çmimin e ka si te ne. Çmimet në Shqipëri, Dizelli është 1.50 cent Benzina 1.52 cent. Ne jemi më të lirë me çmime se Bosnja, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria. Sa i përket çmimit të biletave të autobusit, normal që ndikon edhe rritja e çmimit të naftë, por sa i përket rritjes të çmimit në gjëra ushqimore, nuk kanë ndikim rritja e çmimit të derivateve. Kemi rastin vitin e kaluar ku çmimi i derivateve ka qenë në shitje në Kosovë 78 cent, por marketet kanë abuzu me çmime të larta, nuk kanë mundur me u thirr se çmimet e derivateve janë të larta” ka thënë ai.
Ndërkohë, për rritjen e çmimeve reaguan edhe qytetarët.
Afrim Abdullahu tha se kjo rritje e çmimeve nuk është në rregull dhe se ekzekutivi duhet të reagojë.
“Nuk është në rregull rritje e çmimeve. Qeveria duhet me reagu, nuk është në rregull kështu. Senet ushqimore të përballueshme janë por dikush nuk ka dhe nuk është në rregull pse me i ngrit çmimet. Bileta e autobusit, kjo, ajo, pse me rrit veç që munden. S’ka shtet kështu nuk është mirë” ka thënë ai.
Kurse, Halil Sylejmani tha se beson se ky është një trend në botë i cili do ta kaplojë edhe Kosovën.
“Unë nuk kom hi me ble asgjë, nuk e di por sigurisht trendi është edhe evropian sipas disa gjërave, por edhe këtu nuk mundet me u bë ndryshe. Sigurisht që janë rrit çmimet edhe sigurisht kanë me përcjell trendin Ballkan dhe ne Evropë,” ka thënë ai.