Ngritja e çmimeve të produkteve në Kosovë ka vazhduar edhe në fillim të vitit 2022.
Çmimet e ngritura, disa prej tyre edhe të papërballueshme për buxhetin e qytetarëve, kanë vështirësuar jetën ekonomike të qytetarëve në vend.
Në “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit – IHÇK”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, bëhet e ditur se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar të vitit 2022 ishte 7.1%.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 7.1% në muajin janar 2022, krahasuar me muajin janar 2021”, thuhet në publikimin e ASK-së.
Bazuar në indeksin e publikuar, ASK-ja ka bërë të ditur se çmimi i perimeve në periudhën janar 2021 dhe janar 2022 është rritur për 11.7%.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimi i specave pa djegës në muajin shkurt të vitit 2021 ishte rreth 2.14 euro, ndërsa i njëjti produkt në fillim të vitit 2022 në një dyqan ushqimor në Prishtinë është rreth 3.49 euro.
Në anën tjetër, çmimi i një kilogram domatesh në fillim të vitit 2021 shitej për rreth 1 euro, ndërsa në fillim të vitit 2022 kushton rreth 1.50-1.99 euro, varësisht nga vendi ku blihen këto produkte ushqimore.
Ngritje e çmimeve është vërenjtur edhe në produkte tjera ushqimore.
Sipas ASK-së, bazuar në çmimet e produkteve në janar të vitit 2021 dhe janar të vitit 2022, ka pasur një ngritje të çmimit për 14.9% në bukë dhe drithëra, 7.6% në mish, 9.0% në djathë dhe vezë etj.
Ngritja më e madhe e çmimeve vërehet në vajra dhe yndyra ushqimore, ku çmimi i këtyre produkteve në janar të vitit 2022, krahasuar me çmimin e tyre në janar të vitit 2021 është ngritur per 33.7%.