Nijazi Shabani, zyrtar i arsimit parafillor dhe fillor pranë Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjilan, në mënyrë dinjitoze festoi ditëlindjen e 65-të sot.
Me ëmbëlsira, buqeta lulesh…, me prani të familjarëve e kolegëve prezentë u begatua kjo ceremoni, pasi janë plot 43 vite punë, përkushtim e vullnet për atë që profesori i Kimisë i kishte jetuar denjësisht, raporton Portali 2LONLINE.com.
.
Pikërisht sot, ai po “largohej” nga puna rutinore e përgjegjësia në këtë institucion, duke kaluar në pension, por për të lënë gjurmë dhe kontribut të madh në arsimin shqip ndër vite.
Punëtor i zellshëm, një njeri i fjalës, i sinqertë në punën që bënte, me virtyte të larta njerëzore, Nijazi Shabani, teksa po përshëndetej me kolegët, kishte vetëm fjalët më të mira për ta dhe punën që e deshi dhe e ushtroi me nderë mbi katër dekada.
Ju falënderoj të gjithëve që jeni pjesëmarrës në ditëlindjen time dhe me rastin e pensionimit. Po bëhen 17 vite që kemi punua së bashku këtu dhe nuk do të ju harroj kurrë, meqë të mirën dhe të keqen e kemi kaluar bashkë këtu, ndërsa ju më keni respektuar dhe kemi kujtime të ndara me ju dhe nuk do ju harroj kurrë. Jam krenar me punën time, por edhe me sfidat të cilat i kemi kaluar bashkë”, ka thënë Nijazi Shabani.
E fjalët më të mira vlerësuese nuk munguan as nga kolegët, të cilët lavdëruan atë për përkushtimin, disiplinën dhe afërsinë e tij prej një miku të mirë, kolegu e njeriu të qetë e të shoqërueshëm.
Ushtruesja e Detyrës së Drejtorit në DKA, Majlinda Hoxha, Nijaziun e cilësoi si udhërrëfyes të gjeneratave të shumta në arsim, si profesor, zyrtar, prind dhe njëri me vlera.
“Në emër timin dhe të gjithë kolegëve, Nijaziut i urojmë shëndet dhe pensionim të mbarë kolegut, i cili do jetë gjithmonë me ne, ndoshta jo në zyre, por kudo dhe kurdo që kemi mundësi ta takojmë. Është një fat i mirë që arriti një pensionim të tillë, me shëndet të mirë, familje të shëndoshë dhe shumë suksese në karrierë”, ka thënë U.D, Hoxha për 2LONLINE.com
Në këtë rast, U.D e DKA-së, Majlinda Hoxha, në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ndau mirënjohje për zyrtarin e pensionuar.
E vlerësime për figurën e mikut, bashkëvendësit e kolegut pati edhe Naim Musliu, mësimdhënës i Biologjisë nga Përlepnica.
“ Kam vetëm disa fjalë për kolegun, shokun e shkollës fillore, kolegun si mësimdhënës. E njoh nga viti 1960-të, si mësues të sinqertë, të përkushtuar, i disiplinuar dhe që kërkonte disiplinë nga nxënësit, i cili kreu me sukses misionin në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave, kuadro të tëra, të cilët sot janë profesorë, magjistra, inxhinier e doktor të dalluar”, ka thënë mësuesi Naim Musliu.
Nijazi Shabani (1953), profesor, kryengritës, rezistent e atdhetar i kohës, njeri i penës dhe veprimtar i kauzës kosovare në luftën për liri e pavarësi, u lind në fshatin Përlepnicë të Gjilanit, ndërsa shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitin 1968.
Shkollimin e vazhdoi në Normalen “Skënderbeu”, ku edhe e kreu në vitin 1972 në Gjilan.
Pas këtij shkollimi, Nijaziu vazhdoi studimet e rregullta pranë Universitetit të Prishtinës – në Fakultetin e Shkencave Matematikore – dega e Kimisë.
Pas katër vjetësh studimi, diplomoi me kohë në lëndën e kimisë, në vitin 1977. Për herë të parë u punësua në vitin 1975/76 si profesor i kimisë në Shkollën e Mesme Teknike “Mehmet Isai”.
Nga viti shkollor 1977/1978 punoi në QAMO (Qendra Arsimore e Mesme e mësimit të Orientuar) deri në vitin 1987.
Nga viti 1987 deri në vitin 1996, Nijazi Shabani punoi si profesor në Shkollën e Mesme Ekonomike “Marin Barleti”, ndërsa nga viti 1996 e deri në vitin 1999, punoi në Këshillin Komunal të Arsimit si Këshilltar i lëndës së kimisë në Regjionin e Gjilanit.
Nijazi Shabani, ky luftëtar i dijes, sakrifikues, model i një gjenerate të artë e frymëzues dhe udhërrëfyes për gjeneratat e reja, pas luftës profesionalizmin e tij e vë në shërbim të një institucioni më të lartë arsimor, në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, duke mos u ndarë asnjëherë nga arsimi, reformimi i tij, përmirësim të këtij sektori e në shërbim të nxënësve dhe mësimdhënësve në këtë komunë.
Mësuesi zotëron dhe ushtron një profesion të shenjtë, me një mision të papërsëritshëm edhe në kohë lufte dhe në paqe. Të tillë janë krijuesit, veprimtarët, të cilët edhe kur largohen lënë gjurmë, lënë vepra të pavdekshme dhe lënë boshllëk, i cili mund të zëvendësohet por kurrë të përsëritet.
I tillë do të jetë edhe profesor Nijaziu për nxënësit e kolegët, vepra e të cilit do jetojë e kujtohet çdo ditë, i cili, pas pensionimit, s’do jetë i pranishëm fizikisht në ambientet e punës, por shkëlqimi dhe puna e tij, gjithmonë.