Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë inspektimit të fillimit të asfaltimit të rrugës kryesore në fshatin Pogragjë, ka thënë se bashkëpunimin trepalësh mes Komunës, Këshillit të Fshatit dhe shoqatës “Pogragja” me seli në Zvicër, kanë bërë që investimet publike të bëhen në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Pogragja është fshati model i organizimit, i investimeve dhe përkushtimit me traditë ndaj pronës publike dhe mirëmbajtjen e saj. Koordinimi i jashtëzakonshëm që ka Këshilli i fshatit dhe kontributin e pazëvendësueshëm që e jep shoqata “Pogragja”, janë shembuj për t’u ndjekur nga të gjitha vendbanimet. Përpos asfaltimit të rrugës kryesore, planifikimi i komunës ka paraparë edhe projektin rekreativ të lumit Llapushnica, hapjen e Kalasë së Pogragjës dhe trajtimin e lumit Morava në kuadër të projektit të madh Flows, që përfshinë tri komuna. Fshtarat model si Pogragja, Dobërqani, Zhegra, Cërrnica, Llashtica, Bresalci, Malisheva, Përlepnica, Velekinca, Livoci i Epërm, Livoçi i Poshtëm dhe të gjitha vendbanimet, do të investohet në Model Fashtin në kuadër të programit të Familjes”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.
Kryetari i Këshillit të Fshatit Pogragjë, Arton Fetahu, ka falënderuar kryetarin Haziri për projektin dhe investimet e vazhdueshme që janë bërë dhe falë mbështetjes së Komunës së Gjilanit me këtë projekt tashmë është bërë realitet rruga kryesore që ishte edhe kërkesë e vazhdueshme e shoqatës “Pogragja”.
“Pogragja po bëhet një fshat modern dhe model i mirë i fshatit të organizuar dhe bashkëpunues. Gjatë të ardhmes kemi konfirmimin e kryetarit edhe për trajtimin e lumit dhe projekteve të tjera që e përfshijnë edhe fshatin tonë”, tha Fetahu.
Për këtë projekt dhe të tjerat investime që janë bërë deri tani, falënderim për Komunën pati edhe Avdi Aziri, i cili tha se asfaltimi i kësaj rruge ishte nevojë e fshatit dhe fatmirësisht planifikim i Komunës së Gjilanit dhe tashmë jemi në përmbyllje të të gjitha projekteve në infrastrukturën e fshatit.
“Është investuar në infrastrukturën nëntokësore, rrjet të kanalizimit dhe ujësjellësit, pastaj trotuarit, ndriçimit publik, rrugicave nëpër fshat dhe sot po përmbyllet edhe projekti i asfaltimit të rrugës kryesore”, ka thënë mes tjerash Avdi Aziri.
Ndryshe, kostoja totale e realizimit të këtij projekti është rreth 250 mijë euro.