Kanë nisur punimet për rregullimin e infrastrukturës rrugore në ndërtimin në lagjen Fidanishte II.
Pos rrugës do të rregullohet edhe trotuari, kanalizimi fekal dhe atmosferik, ujësjellësi, ndriçimi publik dhe sinjalizimi horizontal e vertikal.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin për Shërbime Publike, Kushtrim Ibrahimi, kanë parë nga afër punët të cilat po zhvillohen në lagjen Fidanishte II.
I pari i Gjilanit, tha se ka nisur asfaltimi i rrugëve në lagjen Fidanishte II.
“Lagjja Fidanishte, si një nga lagjet e reja të qytetit, po merr trajtimin që meriton. Po finalizojmë infrastrukturën rrugore me një gjatësi prej 428 metrash dhe gjerësi prej 6 metrash, me vlerë totale prej 291,724.36 euro”, tha Alban Hyseni.
I pari i Gjilanit, theksoi se projekti përfshin edhe punët tjera përcjellëse si kanalizimi fekal dhe atmosferik, ujësjellësi, ndriçimi publik dhe sinjalizimi horizontal e vertikal, me qëllim të krijimit të kushteve moderne për banorët e kësaj lagjeje.










