Në sallën “1 Tetori” në Prishtinë ka filluar gjatë së mërkurës vaksinimi i personelit shëndetësor, i cili më 5 maj është vaksinuar me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19, raporton Ekonomia Online.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe personat që nuk janë pjesë e kësaj liste, por që gjithashtu janë vaksinuar me dozën e parë më 5 maj, janë kontaktuar përmes telefonit.
Enis Shabani, mjek, tha se do të vaksinohet për herë të dytë, pasi marrja e vaksinës është garanci, sepse kanë kontakt të drejtpërdrejtë me të infektuar.
“E kam marrë dozën e parë. Me ardhjen e vaksinën ‘Pfizer’, tash po pres për dozën e dytë. Dihet të kjo vaksinë merret me dy doza, por kjo është një garanci në punën tonë, sepse kemi kontakte me të infektuar. Nuk kemi pasur komplikim, kjo asnjë efekt negativ nuk ka te personeli shëndetësor”.
Përderisa në këtë qendër ka vazhduar edhe vaksinimi i personave mbi 65 vjeç. Idriz Hashani tha se pas marrjes së dozës së parë të vaksinës, dozën e dytë duhet ta marrë me 30 qershor.
“E kam marrë për herë të parë vaksinën dhe është shumë mirë, nuk kemi pritur. Më thanë se duhet me marrë dozën e dytë më 30 qershor”.
Kurse Xhemalj Ismajli tha se nga personeli i Qendrës i është thënë se për vaksinim duhet fillimisht që të bëhet një kërkesë.
“Vaksinën e kam marrë dhe nuk kam pasur simptoma. Por s’ka pas efekt se i kam bërë analizat. Këtu mjeku më tha se duhet të drejtohem në ministri të Shëndetësisë për të bërë kërkesë”.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar gjithsej 2 007 mostra të marra nga SHSKUK-ja dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilave kanë rezultuar 5 raste pozitive.
Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2.
Numri total i rasteve pozitive është 107 410 raste nga 611 357 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2 243 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 184 pacientë. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 102 966 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2 201.