Të martën, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se Shqipëria ka nisur ta implementojë marrëveshjen për heqje të roamingut.
Por, ende të larta i konsiderojnë çmimet e thirrjeve me operatorë të Kosovës nga Shqipëria, qytetarët që të dielën po pushonin në plazhet e Shëngjinit.
Ata thonë se çmimet për minutë ende janë të larta, raporton KTV.
16 centë paguan një qytetar që me Vala thërret nga Shqipëria në Kosovë, derisa nëse pranon thirrje telefonike paguan 7.8 centë.
Por, Kreshnik Gashi, udhëheqës i Autoritetit rregullativ të komunikimeve elektronike dhe postare, thotë se çmimet janë ulur për 90 % dhe se tërësisht do të ulen në korrik të vitit 2021.
“Ende janë duke vazhduar testimet. Çmimet janë testuar dhe për çmime çdo gjë është në rregull. Deri pas datës 1 korrik do të vazhdohet me testime, për të vërtetuar se operatorët janë duke funksionuar dhe duke respektuar obligimet që i kanë me kontratë. Çmimet janë zvogëluar për 90 për qind”, ka thënë Gashi.
Gashi ka thënë se marrëveshja përfshin edhe pakot me internet, por që ka një tarifë shtesë për MB. Ai tha se tashmë ekziston një marrëveshjes rajonale për largim të roamingut dhe se nga 1 korriku, çmimet për roaming do të lirohen edhe me Maqedoninë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë.
Ndërkohë, edhe operatorët kosovarë kanë nisur ta respektojnë marrëveshjen për roaming me operatorët e Shqipërisë.