Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka mbledhur kryesinë e saj, vetëm disa orë para seancës së konstituimit të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës.
Kjo mbledhje vjen edhe pas deklarimit nga Albin Kurti se marrëveshja për bashkëqeverisje me partinë e Isa Mustafës tashmë ka dështuar.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kreut të LDK-së që tha se janë të gatshëm për negociata dhe se për LDK bisedimet nuk kanë dështuar.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa deklaroi se Lëvizja Vetëvendosja tregoi se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për president të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri.
“Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë. Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezultatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, kryetari i Kuvendit, presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë”, tha Mustafa.