Sot besimtarët myslimanët anë e kënd botës nisin agjërimin e muajit të madhëruar të Ramazanit, këtij adhurimi njëmujor, i cili për nga rëndësia, mësimet dhe objektivat është më shumë se thjesht një adhurim.
Agjërimi është njëra prej pesë shtyllave kryesore të fesë Islame. Në këtë muaj besimtarët shtojnë lutjet e ibadetet, rrisin ndjesinë e përkushtimit ndaj Krijuesit, ndaj shoqërisë e familjes, dhe po ashtu rrisin ndjesinë e solidaritetit, ndihmës e bamirësisë.
Agjërimi për besimtarët është një adhurim që bartë në vete përkushtimin, vendosmërinë, bindjen, urtësinë, devotshmërinë, sinqeritetin, dashurinë, sakrificën, unitetin, tolerancën e mirëkuptimin, vlera këto që e ekuilibrojnë njeriun, e fisnikërojnë shoqërinë, si dhe të ndikojnë në reflektimin për hyjnoren, njerëzoren e humanen.