Ka nisur sot ndërtimi i kapërderdhëses në pendën e Përlepnicës, e cila po bëhet pas inicimit të kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, me financim të qeverisë së Kosovës.
Në fillimin e punimeve ka marrë pjesë kryetari Haziri, ish-nënkryetari i Gjilanit, aktualisht zëvendësministër i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu dhe drejtori i kompanisë regjionale të ujit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi.
“Penda e Përlepnicës për herë të parë në historikun e saj po hyn në fazën e sanimit. Ka tri vite si Komunë që kemi punuar shumë që të vije ky projekt. Penda e Përlepniës siguronj ujin e pijshëm për 82 për qind e qytetarëve të Gjilanit, 24 orë e shtatë ditë. Shpresoj që operatori do t’i përmbahet planit dinamik për ta realizuar me kohë”, ka deklaruar kryetari Lutfi Haziri.
“Unë e falënderoj Qeverinë e Kosovës për mbështetjen, në emër të së cilës është sot zëvëndësminitri Kadriu, me të cilin kemi punuar bashkë vazhdimisht. Së bashku me qeverinë, e kemi vendosur edhe ndërtimin e rrugës që çon te penda, sikurse që po punojmë në një plan rekreacioni këtu në kodrat e Përlepnicës”, shtoi kreu i Gjilanit.
Kurse, zëvendësminitri i Infratrukturës, Rexhep Kadriu, pohoi zotimin e kryeminitrit Haradinaj se çdo projekt i Gjilanit do të mbështetet me të gjitha mundësitë.
“Bashkarisht me kryetarin Haziri për vite të tëra kemi bërë përpjekje që kapërderdhësja të rindërtohet sepse qysh në vitin e largët 1997 nga ish rexhimi ka mbetur i pakryer ky pozicion dhe e ka rrezikuar trupin e pendës. Kryeministri Haradinaj, me të marrë lajmin nga kryetari Haziri dhe nga unë, e ka nxjerrë vendimin urgjent për sanimin të kësaj pjesë. Me kryeminitrin dhe kryetarin e Gjilanit jemi duke punuar që shumë shpejt të filloj studimi i fizibilitetit të qëndruershmërisë së trupit të pendës këtu, e cila është jetike për qytetarët e Gjilanit”, tha Kadriu
“Është një ditë shumë e rëndësishme për Gjilanin pas fillimit të punimeve në ndërtimin e kapërderdhëses, e cila besoj që do të përfundoj brenda këtij viti sipas planit dinamik. Me ndërtimin e kapërderdhëses, sigurohet edhe trupi i pendës këtu në Përlepnicë, që do të thotë se banorët do të jenë më të qetë dhe nuk do të ketë vend për shqetësime. E falënderoj kryetarin Haziri i cili vazhdimisht ka kërkuar prej qeverisë që të ndahen mjete për këtë projekt, sikurse edhe zvëndësminitrin Kadriu për kontributin në këtë drejtim dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik”, është shprehur, ndërkaq, dhe drejtori i kompanisë regjionale të ujit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi.