Në një tubim të madh qytetar në Gjilan, Arbër Ismajli ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për zgjedhjet lokale, në një ngjarje ku mori pjesë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ngjarja u mirëprit me entuziazëm nga një numër i madh qytetarësh, të cilët dhanë mbështetjen e tyre për kandidaturën e Ismajlit.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Ismajli theksoi përkushtimin e tij për të qenë zëri i qytetarëve të Gjilanit, duke prezantuar vizionin dhe prioritetet që synon të realizojë nëse merr mandatin. Ai u zotua për një qeverisje të përgjegjshme, me projekte konkrete që adresojnë nevojat reale të qytetit dhe banorëve të tij.
“Do të vazhdoj të jem zëri i qytetarëve, me plane të qarta dhe punë të përkushtuar për Gjilanin. Qyteti ynë meriton më shumë dhe unë jam i gatshëm të marr këtë përgjegjësi,” tha Ismajli, duke vënë theksin në zhvillimin urban, përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike si prioritetet kryesore të programit të tij.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në fjalën e tij përshëndetëse, vlerësoi lart angazhimin e Ismajlit dhe theksoi se LDK është e përkushtuar për të sjellë një model të ri të udhëheqjes në nivel lokal, të bazuar në transparencë, profesionalizëm dhe besim qytetar.
Zyrtarizimi i kandidaturës së Ismajlit shënon një hap të rëndësishëm në garën për udhëheqjen e Gjilanit, me pritshmëri të larta nga qytetarët për një ndryshim të prekshëm dhe të qëndrueshëm./Radio Star/