Me Homazhe për Dëshmorët dhe me vizitën në kazermën e Ushtrisë së Kosovës, sot në Gjilan ka nisur rrugëtimin e tij manifestimi tradicional kulturor ‘Flaka e Janarit 2022”, që mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Me këtë manifestim kulturor kombëtar nderohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, të rënë përgjatë janarëve të historisë, në mbrojtje të identitetit, për liri, pavarësi e sovranitet të trojeve etnike.
Kryetari Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni me delegacionin komunal ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te Varrezat e Dëshmorëve, e më pas ka vizituar kazermën e UK-së në Gjilan.
‘Përkujtimi i dëshmorëve është respekti për historinë, prandaj 11 janari nuk është thjesht një datë e zakonshme. Nderimi për ata që dhanë jetën për lirinë e popullit e për çlirimin e vendit është detyrë e jona kombëtare e shoqërore. A ka trimëri më të madhe se të japësh jetën në luftë kundër armikut për t’i dhënë liri vendit e popullit tënd? Prandaj, dëshmorët janë institucioni më i vlefshëm i të gjitha kombeve. Vitet e shqiptarëve në Kosovë fillojnë me Flakën e Janarit, teksa na ndriçojnë mendjen për të përkujtuar sakrificën e dëshmorëve të të gjitha kryengritjeve’ ka thënë Hyseni.
Kryetari Hyseni ka vizituar edhe familjet e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha.
Ai tha se programi i manifestimit të sivjetmë është pasuruar edhe me aktivitete të tjera, për t’i nderuar figurat e Kadri Zekës, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës.
Hyseni në këtë kontekst ka përmendur aktivitetin: ekspozitë memoaresh e kujtimesh – ”Dhoma e Kadriut, Jusufit e Bardhoshit”, që do të mbahet me 19 janar në Muzeun Etnologjik të Qytetit dhe po ashtu edhe aktivitetet e natyrave tjera kulturore në nderim të të rënëve.
Përndryshe “Flaka…” është manifestimi më unik në trojet shqiptare dhe këtë vit mbahet për 31-tën herë me radhë, ku përgjatë tri javëve rresht, do ta bëjë Gjilanin kryeqendër të kulturës kombëtare, me aktivitete të shumta, përfshirë ato të artit dramatik, artit pamor, atij muzikor dhe letrar.
Për sot është paraparë edhe “Ndezja e Flakadanit të Flakës së Janarit 2022”, para Teatrit të qytetit të Gjilanit (17:00).
Aktiviteti i radhës do të jetë “Akademia e Flakës”, më 17 janar, në ora 17:00, në Teatrin e qytetit në Gjilan e më pas, në ora 19:00, në Galerinë e qytetit, do të hapet Ekspozita Kolektive e Arteve Pamore, në kuadër të “Penelit të Flakës”.
“Flaka e Janarit”, vazhdon me ekspozitë memoaresh e kujtimesh – ”Dhoma e Kadriut, Jusufit e Bardhoshit”, që do të mbahet më 19 janar, në ora 16:00, në Muzeun Etnologjik të qytetit.
Me 20 janar, ora 19:00, në Teatrin e qytetit do të mbahet ekspozita e artit bashkëkohor – Rezistencë / Peneli i Flakës.
“Flaka…” vazhdon tutje me Akademinë Përkujtimore për Presidentin Dr. Ibrahim Rugova, që do të mbahet më 21 janar, në ora 14:00, në Teatrin e qytetit.
Nga 23-28 janar mbahet Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës” (19:30).
Ndërkohë që, më 26 janar, ora 12:00, në Bibliotekën e qytetit mbahet tryeza letrare: Poezia e zgjedhur e Jusuf Gërvallës.
Më 29 janar, ora 17:00, mbahet Festivali i këngës për fëmijë “Xixat e Flakës” në sallën e Teatrit të qytetit.
Ndërkaq, në ditën e fundit, më 31 janar, zhvillohen dy aktivitete, në Bibliotekën e qytetit, Ora e Madhe Letrare “Pena e Flakës” (16:00) si dhe Koncerti i Muzikës Popullore “Fest Flaka” (19:00) – Teatri i qytetit.