Indeksonline gjatë ditës së sotme ka raportuar ekskluzivisht për lirimin nga puna të ministrit Bajram Hasani nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Anëtari i kryesisë së Nismës Socialdemokrate si dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha ka thënë se lidhur me këtë nuk qëndron shprehja ‘largim’.
“Nuk qëndron shprehja ‘largim’ pasi momentalisht edhe jam me Bajram Hasanin është duke u menduar që ministri Bajrami të jetë pjesë e ekipit të zotit Limaj në përgjegjësitë e reja shtetërorë që pritet me i marr dhe natyrisht pas një performance pozitive dhe një pune të suksesshme që ka treguar në ministrinë që udhëheq tash e një vit. Bajram Hasani besoj se do të jetë krahu i djathtë i Limajt për përforcimin e shtetit, pasi atë e kemi bërë më herët”, ka thënë Berisha për Indeksonline.
Sipas tij Hasani do të jetë krahu i djathtë i Limajt në punët e tij të ardhshme.
“Ekipi negociator përbëhet nga përfaqësues të forcave politike por sigurisht lideri i këtij ekipi do të duhet të ketë njerëz të besueshëm dhe profesional dhe sigurisht njëri prej tyre do të jetë Bajram Hasani”,ka përfunduar Berisha.